Nëse jo kaos i plotë, shumë afër konfuzionit, trazirave, shqetësimeve, çrregullimeve. Në ekonominë më të madhe të Evropës, Gjermani, e cila është në prag të recesionit, zemërimit dhe pakënaqësia e një pjese të madhe të shoqërisë është në kulmin e saj.
Një lumë traktorësh po “mbyt” Gjermaninë. Fermerët e vendit po protestojnë kundër heqjes së subvencionimit të taksës për naftën.
Mbrëmjen e së dielës së kaluar, mijëra traktorë me motorët dhe fenerët e ndezur po trokisnin fort pranë Portës së Brandenburgut. Një varg i pafund policësh u rreshtuan përkrah kolonës po aq të pafundme të fermerëve. Të hënën në mëngjes qendra e Berlinit u bllokua plotësisht nga lumi i mjeteve. Berlinezët e turpëruar nuk kishin parë kurrë më parë një valë kaq masive protestash në qytetin e tyre. Historikisht, një skenë kaq e zhurmshme, e përforcuar në mënyrë shurdhuese nga demonstruesit gjaknxehtë, ishte parë në kryeqytetin gjerman që nga greva e madhe e përgjithshme e vitit 1906!
Disa traktorë të rreshtuar kishin pankarta që kumtonin në mënyrë agresive se “ne fermerët kujdesemi për ushqimin tuaj”. Në pankartat e postuara shkruhej “depozita bosh – loja mbaroi”, një deklaratë që dëshmonte kundërshtimin e tyre të fortë ndaj heqjes së subvencionimit të taksave për naftën. Disa nga më të indinjuarit kishin ngarkuar dhe transportuar në platforma tonelata pleh organik që planifikonin t’i hidhnin në derën e Bundestagut. Pas negociatave të minutës së fundit mes autoriteteve policore dhe organizatorëve të tubimit, këta të fundit nuk tentuan të përdhosnin ndërtesën e parlamentit gjerman me kupolën e xhamit.