Shtatori mbërriti dhe tani Kombëtarja gjendet në fazën më vendimtare për sa i përket rrugëtimit drejt Euro 2024. Kuqezinjtë do të përballen me Republikën Çeke më 7 shtator në Pragë, ndërsa më tre ditë më vonë presin Poloninë në një “Air Albania“ të stërmbushur. Kombëtarja nuk ka pse shkon më larg për të siguruar kualifikimin. Bileta për në Gjermani gjendet pikërisht në këto dy sfida. Madje, as një humbje në Pragë nuk do e nxirrte Shqipërinë nga gara për kualifikim.
Ekipi i udhëhequr nga Silvinjo mjafton që të mposhtë Poloninë në Tiranë dhe kualifikimi është një çështje thuaje e mbyllur. Në një skenar të tillë, atëherë kuqezinjve i torelohet edhe një barazim me Republikën Çeke në tetor për të lënë mbrapa me një pikë polakët, edhe nëse këta të fundit fitojnë çdo ndeshje të mundshme.
Polonia do të përballet dy herë me Ishujt Faroe, një herë me Moldavinë dhe një herë me Çekinë. Në total 12 pikë të mundshme për të rrëmbyer. Nëse bardhekuqtë e Santosit marrin maksimumin në këto sfida, atëherë do të përfundonin grupin me 15 pikë të grumbulluara. Ndërkohë, në krahun tjetër, Shqipëria ka në kalendar dy përballje me çekët, një me Ishujt Faroe dhe një me Moldavinë. Nëse sigurohet fitorja me Poloninë në 10 shtator, atëherë kuqezinjve u mjafton të mundin Ishujt Faroe dhe Moldavinë si dhe të marrin një barazim në njërën nga dy ndeshjet kundër Çekisë.
Kështu ekipi ynë kombëtar do të mbërrinte në kuotën e 16 pikëve, një më shumë se Polonia. Ndërkaq, në rast se humbasim të dyja ndeshjet me Çekinë, atëherë mjafton një fitore me 2 ose më shumë gola diferencë ndaj Polonisë për të prerë biletën për në Euro Gjermani 2024.