Prej javësh, jeta parlamentare në vend është përfshirë nga skena kaosi në Kuvend dhe në komisione ku një grup deputetësh, mbështetës të Berishës kanë bllokuar funksionimin normal të seancave duke përdorur edhe tymuese.

Për të folur lidhur me ketë situatë të krijuar në jetën parlamentare, e ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV, ishte deputetja e PD, Oriola Pampuri e cila i cilësoi si ‘skena Don Kishoteske’ situatat e krijuara nga kolegët e saj të Rithemelimit në Kuvend dhe në komisione parlamentare.

E pyetur nëse do të firmoste kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës, nëse një shkresë e tillë mbërrin në Kuvend, duke qenë se kreu i Rithemelimit nuk po paraqitet në GJKKO për aferën ‘Partizani’, deputetja e PD, Oriola Pampuri u përgjigj se e mbështeste punën e prokurorisë së Posaçme dhe se do ta votonte një kërkesë të tillë.

“Unë mbështes gjithë punën e SPAK. Do të votoja për çdo shkresë apo kërkesë që do vinte në Kuvend qoftë edhe për mua. Është drejtësia që duhet të flasë më në fund. Unë kam besim tek SPAK. Do të ndjek çdo hap që do të nxitet nga SPAK, nëse do ketë kërkesë pa diskutim që do të votohet”- u shpreh Pampuri.