Ambasadori i komanduar i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka përfunduar sot detyrën e tij në vendin tonë. Në një postim në rrjetet sociale, ai është shprehur se në këta 3 muaj ka përmbushur misionin për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit.
“Ishte një nder dhe kënaqësi të drejtoja sërish ekipin e madh të Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Në tre muajt e fundit, ne kemi përmbushur shkëlqyeshëm misionin tonë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.
Faleminderit shumë për përkushtimin dhe qëndrueshmërinë tuaj! Vazhdoni punën e shkëlqyeshme derisa të bashkoheni me BE-në!”, shkruan Soreca, krahas postimit të disa fotove me stafin e delegacionit.
Kujtojmë se Luigi Soreca u rikthye në 1 shtator në krye të delegacionit të BE-së në Shqipëri, pas largimit të Christine Hohmann.