Në një vit largohen aq njerëz sa për të populluar një qytet të vogël. Çdo vit ikën një qytet me të rinj, duke lënë pas të moshuarit. Përllogaritet se shekulli XXII do ta gjejë Shqipërinë me rreth një milion banorë dhe botën me një diasporë shqiptare disa milionëshe…

Nga Erion DASHO –

Izraeli është shembulli i kombit që mbijetoi dy mijë vjet pa shtet, madje edhe pa një tokë të vetën. Ndoshta një rast unikal në historinë e njerëzimit.
Të dëbuar nga romakët në shekullin e parë, ata mbijetuan duke krijuar komunitete të fuqishëm në të gjithë botën, duke bashkëpunuar dhe mbështetur njëri-tjetrin dhe duke transmetuar gjuhën, kulturën, traditën dhe besimin.
Në fund të shekullit XIX, izraelitët e mençur e kuptuan se bota e industrializuar rrezikonte ta zhbënte atë që ishte ruajtur me aq përkushtim dhe shpallën rikthimin.
Sot, Izraeli funksionon me një shtet rreth 10 milionësh (7 milion prej të cilëve hebrenj) dhe me një diasporë mbarëbotërore disa fish më të lartë.
Ky shtet më pak se 80 vjeçar është sot një prej shteteve më të fuqishëm të botës, fuqi e mbështetur ende në një shkallë të konsiderueshme tek diaspora izraelite.
                                                                                             *  *  *
Komunizmi u bëri shqiptarëve atë që romakët u bënë izraelitëve. Pasi i mbajti të pushtuar për gati 50 vjet, u rikthye pas 20 vjetësh dhe si ndëshkim për përpjekjen për çlirim, tashmë po i dënon me dëbim. Sigurisht, jo dëbim me dhunë fizike, por të gjithë format e tjera të dhunës janë të pranishme.
Çdo ditë qindra shqiptarë largohen nga vendi me çdo mjet dhe mënyrë. Çdo ditë qindra shqiptarë aplikojnë diku në botë për një rezidencë, azil, pasaportë, patentë, diplomë, etj. Çdo ditë qindra shqiptarë betohen dhe marrin pasaportën e vendit pritës duke u kthyer në amerikanë, kanadezë, gjermanë, britanikë, italianë, etj.
Sot, ngjashëm me izraelitët, ka më tepër shqiptarë në diasporë se sa në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Si do të zhvillohet diaspora shqiptare? A do të mbijetojë dot ajo?
                                                                                            *  *  *
Edhe ne shqiptarët kemi modelet tona të diasporës. Kemi shqiptarët e Turqisë që e quajnë veten “shqiptarë” ose “turq me origjinë shqiptare”, por që shqip nuk flasin. Njëqind deri dyqind vjet mjaftuan për t’ua asimiluar gjuhën dhe doket.
Kemi edhe arbëreshët e Italisë që ruajtën gjuhën, kulturën dhe doket për më shumë se 500 vjet, deri në pikën sa nxorrën nga radhët e tyre edhe korifej të Rilindjes Kombëtare.
Kemi në Amerikë shqiptarë të brezit të tretë që flasin shqip, por kemi edhe shqiptarë si Xhim Belushi që është shqiptar, por gjuhën nuk e mësoi dhe nuk e foli dot.
Ç’duhet bërë?
                                                                                         *   *   *
Unë besoj se, fatkeqësisht, problemi i largimit të shqiptarëve do të vazhdojë gjatë. Të paktën, përsa kohë Shqipëria sundohet nga rilindja. Një vend nën pushtim, nuk ofron shpresë dhe kjo do të bëjë që çdo ditë qindra shqiptarë të vazhdojnë të largohen.
Në një vit largohen aq njerëz sa për të populluar një qytet të vogël. Çdo vit ikën një qytet me të rinj, duke lënë pas të moshuarit. Përllogaritet se shekulli XXII do ta gjejë Shqipërinë me rreth një milion banorë dhe botën me një diasporë shqiptare disa milionëshe.
Në vitin 2100 do të ketë më tepër shqiptarë në secilin prej vendeve si Amerika, Gjermania dhe Britania e Madhe, se sa në Shqipëri apo Kosovë.
                                                                                    *  *  *
Kjo situatë vendos një përgjegjësi shumë të madhe mbi diasporën shqiptare. Deri më sot, diaspora dhe lëvizjet e saj kanë synuar vendin mëmë, kanë synuar të ndihmojnë Shqipërinë. Unë mendoj se situata e sotme kërkon që diaspora të ndihmojë veten dhe të punojë për të garantuar mbijetesën e vet afatgjatë. Jo dhjetë apo njëzet vjeçare, por mbijetesën shekullore; atë që kalon breznitë.
Këtu shembulli i arbëreshëve vlen, por deri në një fare pike; shembulli dhe modeli izraelit sjell shumë më tepër dobi. Nëse industrializimi vendosi në rrezik kombin izraelit, globalizmi është një kërcënim shumë më serioz për diasporën shqiptare.
Shqiptarët kudo ku janë duhet të krijojnë komunitete, lagje dhe, pse jo, qytete. Sot bota funksionon edhe virtualisht dhe lidhjet virtuale janë një plotësim (po jo zëvendësim) i lidhjeve jetësore
Shqiptarët duhet të forcohen ekonomikisht dhe politikisht në vendet mikpritës. Të ngrenë jo vetëm shoqata e biznese, por edhe kompani lobimi dhe banka.
Të mbështetin kandidatët shqiptarë për parlament, bashki e këshilltarë. Pa menduar në se janë “të majtë” apo “të djathtë”, “veriorë” apo “jugorë”, “gegë” apo “toskë”.
Sigurisht, pa harruar asnjë moment gjuhën, historinë, kulturën dhe doket, ku gjuha të mos mbetet vetëm e folur, por edhe e lexuar dhe e shkruar.
                                                                                 *  *  *
Diaspora shqiptare nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shqipëria sot është një vend i pushtuar; i pushtuar nga pushtues më të këqinj se romakët, bizantinët apo osmanët; i pushtuar nga shqiptarë makutë, të këqinj, hajdutë dhe të poshtër.
Përpjekjet për të ndihmuar Shqipërinë kanë më shumë gjasa të dështojnë sesa të japin rezultat konkret. Kjo është fatkeqësi, sepse p.sh. vetëm para dy vjetësh diaspora moldave ndihmoi në përmbysjen e komunizmit pro-rus atje.
Por në Shqipëri, situata po bëhet çdo ditë dhe më e vështirë. Zgjedhjet e 2023-it dhe 2025-ës, unë i kam quajtur “shanset e fundit”. Pas tyre vjen diktatura putiniane, por e një modeli më të ngjashëm me orbanizimin.
Diaspora bën mirë të ketë të gatshëm “Planin B”, atë që do të garantojë që diaspora e shekullit XXII ende të flasë shqip, të gatuajë shqip, të njohë historinë shqiptare dhe të ndjekë doket dhe besimet shqiptare. Në një botë globale dhe të digjitalizuar…