Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger duke i cilësuar librat e tij si një pasuri e paçmueshme të një urtësie të rrallë.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Rama tregoi se me të ndjerin ka pasur dhe një bisedë që sipas tij do të jetë një nga bisedat më të bukura që mban mend.
“LAMTUMIRË BOS
Librat Tuaj i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e një eksperience dhe urtësie të rrallë, e do të jenë në dispozicion të kujtdo sot e gjithmonë, që do të dojë të aftësohet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeopolitikën; balancat mes fuqive dhe realizmin politik në ruajtjen e paqes e në projektimin e rrugëdaljeve nga konfliktet ndërshtetërore; të menduarit strategjik dhe perspektivën afatgjatë të politikës së jashtme; rolin e shkencës joekzakte të historisë dhe rëndësinë e talentit të individit kur duhen marrë vendime përballë mjegullës së të nesërmes… Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend.
U prehshi në paqe Dr.Kissinger”, ka shkruar Rama.