Dy javë larg ndeshjes tejet të rëndësishme të Kombëtares shqiptare, atë ndaj Çekisë në “Air Albania”, trajneri Sylvinho ka marrë një lajm të keq pasi sulmuesi Myrto Uzuni është dëmtuar.

Ai e nisi titullar ndeshjen Granada-Betis të vlefshme për La Liga, por u detyrua të largohej nga fusha e lojës në minutën e 38 për shkak të një dëmtimi.

Uzuni u përplas me një nga kundërshtarët dhe më pas kërkoi ndihmën mjekësore, por në fund u largua vet nga fusha e lojës për t’u zëvendësuar menjëherë.

Në pamje të parë duket se sulmuesi mund të ketë pësuar një tërheqje muskulore, për të cilën duhet pritur zhvillimi i kontrolleve për të mësuar shkallën e dëmtimi dhe sa do të qëndrojë jashtë fushave.

Në ndeshjen e 12 tetorit, Sylvinho mund të ketë edhe dy mungesa të tjera, edhe pse ende të pakonfirmuara. Ata janë Cikalleshi në sulm dhe Ismajli në mbrojtje, që janë dëmtuar në ndeshjet e fundjavës së kaluar.