I ndjeri Pal Kola ishte një nga të ardhurit e shumtë në Tiranë, me siguri në kufijtë e mbijetesës, diku në periferi, 60 vjeç, pa punë, pa mundësi e pa përkrahje që duhet të ketë gëzuar shumë kur një kompani sigurie e ka punësuar me rrogë minimale si roje objekti.
Pal Kola, si shumë të ngjashëm të tij, duhet të priste ende edhe shume vite për të gëzuar një pension qesharak që nuk do t’i dilte as për të ngrënë bukën thatë. Dhe megjithëse qesharak, deri kur ky pension të vinte, Pal Kola duhej të punonte për të siguruar mbijetesën.
Pal Kola vdiq në orët e para të mëngjesit të sotëm nga një breshëri automatiku – kronikat thonë se në vendngjarje janë gjetur më shumë se 25 gëzhoja të derdhura mbi fasadën e përparme të televizionit kombëtar Top Channel. Në momentin e papritur, roja i natës së objektit, 60 vjeçari Pal Kola, po ngrohej në kabinën u tij. Ai vdiq para kohe. Vdiq pa faj.
Drama e Pal Kolës është drama e çdo shqiptari sot.
Jo më larg, se 10 ditë më parë një tjetër 60 vjeçare, Mimoza Paja, vdiq ndërsa punonte si banakiere në një lokal në Don Bosko, në një atentat të ngjashëm, të tipit mafioz. Mimoza ishte një grua e bukur. Fotoja që qarkulloi në media solli imazhin e një gruaje të lodhur nga jeta, por jo të mposhtur prej saj. Në momentin që vdiq, me Mimozën ishte edhe e mbesa e mitur që 60 vjeçarja i kishte dalë zot ta rriste vetë pas dështimit të martesës së të bijës.
Mimoza, ishte një grua e bukur, e lodhur nga jeta, por jo e mposhtur prej saj. E vranë plumbat që nuk u shkrepën për të. Atë që jeta e vështirë nuk ia beri dot, Mimozës ia bëri një plumb qorr i shkrepur në mes të kryeqytetit të Shqipërisë.
Drama e Mimoza Pajës është drama e çdo shqiptari sot.
Në një vend që as është në luftë, as ka konflikte fetare, as racore, as kërcënime territoriale, çdo shqiptar i thjeshtë ndihet në shënjestër. Si është e mundur që krimi mori përmasa të tilla apokaliptike sa nuk po ha veç “kokën e vet”, por edhe të hallexhinjve që punojnë për një copë bukë? Krimi po ha kalimtarin, kamarierin, banakierin, rojen, fëmijën, plakun e të riun…
Si është e mundur që Shqipëria, një vend sovran në mes të Evropës dhe qytetërimit është kthyer në një simotër të lagjeve më të egra të vendeve të botës së tretë?
Përgjigja është e thjeshtë.
Në një vend ku krimi ligjërohet nga qeveria, praktikohet nga qeveria dhe lejohet nga qeveria, vetëm kjo mund të ndodhë.
Në një vend ku Kryeministri del e thotë publikisht, në konferencë për shtyp, për vrasjet mafioze, “kokat hëngshin”, vetëm kjo mund të ndodhë.
Në një vend ku qeveria, nga i pari deri tek i fundit, diskutohet dhe provohet se është e lidhur me krimin, se vjedh e bën kërdinë, me trafikun, kurvllikun, vrasjet e prerjet, vetëm kjo mund të ndodhë.
Në një vend ku ministret janë eskorta, ministrat e tredhur e ku Kryeministri i fut një vizë në prani “miqsh”, vetëm kjo mund të ndodhë.
Sot vdiq një njeri i pafajshëm. Një 60 vjeçar që ka ardhur në Tiranë për një jetë më të mirë, por që punonte si punëtor me mëditje. E vrau një plumb qorr, i shkrepur kush e di për çfarë qëllimi e mesazhi mafioz, që nuk kishte aspak lidhje me të.
Ai palo Ministër i Rendit, burrë i ish gruas së Kryeministrit, një njeri i pagojë, i paaftë dhe i paburrë duhet të dalë përballë shqiptarëve dhe të japë dorëheqjen. Duhet të ikë nga sytë këmbët e t’i hapë rrugën të tjerëve që duhet ta ndjekin masivisht dhe menjëherë.
Shqipëria është shndërruar në një skenë masive kriminale. Këtu njeriu i thjeshtë vritet duke ecur në punë të vet, duke punuar për të siguruar bukën fëmijëve.
Shqipëria është kthyer në një çmendinë të përgjakshme dhe secili prej nesh është në shënjestër. Secili prej nesh jeton me ankthin se një ditë mund të gjendet në vendin e gabuar, në momentin e gabuar, ku një kriminel i jep të drejtë vetes të gjuajë e të vrasë këdo që i del përpara. Sepse ia kanë ligjëruar këtë. Shqipëria është kthyer në një vend gjakatar dhe përgjegjësit e kësaj vrasje masive kanë emër.
Ata duhet të japin llogari. Gjaku i Pal Kolës sot, i Mimoza Pajës dje, i Klodian Rashës, Laer Kurtit e të tjerëve, i atyre që sot e nesër ju rrezikohet jeta njësoj, kërkon shpagim./Pamfleti