Një grup demokratësh, drejtues të niveleve të ndryshme në PD, po finalizojnë organizimin e një lëvizjeje brenda partisë, që duket të jetë në kundërshtim të plotë me qëndrimet e Berishës. Ish-deputeti Ferdinand Xhaferri thotë për TemA, se lëvizja ka lindur nga baza e partisë dhe sipas tij do të ketë mbështetje të gjerë në të gjithë elektoratin.
Ndoshta me qëllim, do të jetë foltorja numër 2, sipas modelit që vetë Berisha e organizoi lëvizjen e tij kur u përjashtua nga Lulzim Basha. Xhaferri flet me metafora kur i duhet të përgjigjet për identikitin e drejtuesve të kësaj lëvizje. Duke lënë të nënkuptuar se zyrtarët e lartë të PD-së, të cilët vazhdojnë të jenë pranë Berishës në grup parlamentar dhe kryesi, ndoshta nuk do ta kenë guximin të dalin kundër liderit.
Xhaferri: “Do ta gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin, që këtë vjeshtë, apo pranverën që vjen, të nisë një cikël kontaktesh në të gjithë Shqipërinë sipas një modeli – sepse unë e kam thënë edhe e them që Berisha ka anët e mira dhe anët e këqija – gjetja e ‘Foltores’ në atë moment ishte një gjetje e mirë për mobilizim dhe për tryeza masive të anëtarësisë së partisë për të folur. Dhe nën atë model do të nisin takimet, sepse nuk e meriton Partia Demokratike, që për agjendën personale të kryetarit të saj, partia të kthehet në muze.”
I quan “gjeneralë” ata dhe sqaron se përveç tyre, janë të tjerë drejtues në nivele pak më të ulëta deri në bazë të cilët do të kenë peshë më të madhe në elektorat për t’i dhënë PD-së një drejtim të ri politik.
Xhaferri: “Nëse nuk marrin përsipër ta bëjnë procesin gjeneralët – pra kur degradon leadershipi rrethi i parë është rrethi i gjeneralëve që kanë eksperiencën dhe potencialin – nëse nuk e marrin përsipër sepse gjeneralët janë të kapur nga lidershipi, atëherë do dalin kolonelët…
Ju e patë që zoti Murrizi tha që kam dëshirë të kandidoj për kryetar partie. Pra, Zoti Murrizi është një politikan që është certifikuar që nga 1997-ta me zgjedhje, por mesazhi që përcolli – “kam dëshirë që të kandidoj,” – është fare i qartë dhe tregon që ky që është nuk bën. Ka edhe shumë emra të tjerë, por nuk do ishte mirë të nxirrnim emra sepse duhet të flasim për procese. Po të shohësh zgjedhjet e fundit, tregon që kishin potenciale, po të shikosh të shkuarën e Partisë Demokratike, ka potenciale. “
Ferdinand Xhaferri ka sqaruar se lëvizja nuk do të jetë në asnjë rast në funksion të karrierës së tij, pasi sqaron se e ka mbyllur karrierën e tij në PD për të qenë drejtues në nivele të larta. Por thekson se do të jetë mbështetës i rëndësishëm i kësaj lëvizje. Për të gjithë ata demokratë të niveleve të ndryshme që nisin çdo qëndrim publik me fjalinë: “PD të ndryshojë, por të mos ikë Berisha”, Xhaferri ka edhe justifikim.
Ai sqaron se vjeshtën e këtij viti foltorja numër 2 e Partisë Demokratike, do të sjellë ngjarje të rëndësishme politike brenda opozitës.
Ndiqni të plotë intervistën mjaft interesante të Ferdinand Xhaferrit, i cili flet për të gjitha zhvillimet në PD si dhe për pritshmëritë e vjeshtës së qeverisë Rama.