Ditën e mërkurë, më 23 korrik 2025, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të zhvillojë një seancë publike ku pritet të miratohet shpërndarja e mandateve të deputetëve për fituesit në zgjedhjet e përgjithshme në Qarkun e Tiranës.
Ndarja e mandateve për kryeqytetin pritet të zgjidhë edhe çështjen e debatueshme se kush do të marrë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, pas përplasjeve mes dy drejtuesve kryesorë të tij, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani.
Sipas marrëveshjes së arritur mes dy partive përbërëse të koalicionit, kandidatët e listës së mbyllur ishin familjarë të drejtuesve që kishin firmosur paraprakisht një deklaratë dorëheqjeje nga mandati, për të hapur rrugën kandidatëve të listës së hapur, ku fitues do të shpallej kandidati me më shumë vota preferenciale.
Kandidati i listës së hapur që ka marrë numrin më të madh të votave është Adriatik Lapaj. Megjithatë, i afërmi i Endri Shabanit në listën e mbyllur, Zeqir Kordhoni, ka paraqitur kërkesë për të marrë mandatin. Shabani dhe Kordhoni argumentojnë se ky veprim është pasojë e premtimit të pambajtur të Lapajt, i cili sipas tyre kishte deklaruar më herët se nuk do të mbante mandatin nëse koalicioni fitonte vetëm një vend në Kuvend.