Në Tiranë u zhvillua sot Samiti i tretë për Diasporën. Me ftesë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, po merr pjesë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, por jo kryeministri Albin Kurti.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se Kurti nuk mund të merrte pjesë në këtë samit për shkak të angazhimeve në agjendë.
“Në Samitin e Diasporës, i cili po organizohet në Tiranë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, po marrin pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.
Gjithashtu, pjesëmarrëse është dhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Për shkak të angazhimeve në agjendë, përfshirë seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku me kërkesë të opozitës do të raportojë mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Kryeministri Kurti nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë organizim”, tha Kryeziu.