Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për media, ka folur për situatën politike të krijuar në Kosovë, për shkak të dështimit të konstituimit të Kuvendit.

Kurti tha se thirrjet e opozitës për të mos shkuar në zyrë të kryeministrit, për shkak të certifikimit si deputet, janë “thirrje për pezullim të shtetit”.

Ndër të tjera ai tha se ai dhe kabineti i tij dhanë dorëheqje, por më shumë se aq do të ishte braktisje e institucioneve.

Kurti: Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua se partitë opozitare nuk votuan për verifikimin e mandatave. Në thelb, ata që nuk pranuan ta merrnin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që të mos jem kryeministër.

Krahas përmbushjes së mandatit të plotë qeverisës deri në fund të qeverisë së re unë u jam drejtuar kuvendit me një letër, për të cilën e kam njoftuar për statusin e qeverisë dhe dorëheqjen time. Më shumë se kaq nuk është e mundur, që të jap dorëheqje më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit.

Është insistim për të lënë qeverinë pa zot shtëpie.

Ne kemi funksione të kufizuara por asesi s’mund të ketë ndalim funksionimi.

Kemi nga e kaluara shembullin e ish-kryeministrit Thaçi, që ndonëse kishte dhënë betimin si deputet kishte vazhduar të jetë kryeministër.

Ish-kryeministri Hoti mbeti në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë Kurti përkundër faktit që qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme.

Një qeveri e dorëhequr, ndonëse ka përmbushur mandatin e saj katërvjecar na u dashka të largohet nga zyra e saj orë e më parë.