Nga Vjosa Limani-
Tragjedia e rëndë që ndodhi dje në Kosovë, ku në një aksident automobilistik humbi jetën vëllai i këngëtarit, njëkohësisht fituesit të BBVA 4, Gjestit, Eldion Kelmendi ka lënë pa fjalë të gjithë opinionin publik, duke u kthyer në kryelajm në mediat online shqiptare dhe ato kosovare.
Ngjarja solli një valë reagimesh dhe publikimesh në rrjete sociale, por edhe një debat mbi mënyrën se si shprehet dhimbja dhe respekti në kohën e sotme.
Pyetja më e rëndësishme që ngrihet në raste të tilla është: ku mbaron e drejta për informim dhe ku nis detyrimi për të ruajtur etikën dhe dinjitetin njerëzor?
Në vend që të raportohej lajmi me maturi dhe respekt, u pa e kundërta:
Video të aksidentit u shpërndan pa fund, shpesh me tituj sensacionalë.
Çdo reagim i miqve dhe shokëve të Gjestit në rrjete sociale u kthye në “artikull rozë”.
Ngushëllimet private u ekspozuan si kronikë lajmesh.
Ky është një abuzim i hapur me dhimbjen e një familjeje që po përjeton humbjen më të rëndë të mundshme. Përtej klikimeve dhe lexueshmërisë, mediat duhet të kujtojnë se kanë përballë njerëz që vuajnë, jo thjesht subjekte lajmesh.
Në vendet europiane ku standardet etike të gazetarisë respektohen, është e paimagjinueshme të publikohen pamje të rënda nga vendi i një aksidenti fatal, e aq më pak të shfrytëzohen reagimet emocionale të familjarëve dhe miqve.
Kodi Europian i Etikës në Media thekson qartë se privatësia e viktimave dhe e të afërmve të tyre është parësore, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe të mitur. Shumë redaksi perëndimore kanë politika të brendshme që ndalojnë kategorikisht publikimin e materialeve që mund të traumatizojnë familjen ose të bëhen burim sensacioni.
Në Shqipëri dhe Kosovë, fatkeqësisht, shpesh ndodh e kundërta: dhimbja kthehet në spektakël, vdekja në “lajm trend”, ndërsa etikën e zëvendëson etja për klikime.
Është koha të ngremë pyetjen: A kemi nevojë për një kod etik të detyrueshëm për mediat online? A duhet që autoritetet dhe vetë redaksitë të vendosin kufij të qartë për raportimin e tragjedive?
Dhimbja e një familjeje nuk është as pronë e mediave, as lëndë e rrjeteve sociale. Ajo kërkon respekt, heshtje dhe ndjeshmëri. Vetëm kur ta kuptojmë këtë, do të mund të flasim për një gazetari që i shërben shoqërisë, e jo thjesht audiencës./kohajuaj