Nga Ben Andoni
Që Shqipëria është vendi më pro integrimit evropian nuk e rrëfejnë fjalët dhe fjalimet patetike të zyrtarëve tanë, ku Rama e ka intensifikuar gjuhën e komunikimit në funksion të idesë së përkatësisë sonë, njëjtësishëm me rrugën e vendeve të tjera ballkanike kah BE-së. Atë e tregojnë sondazhet në vite dhe një vokacion i madh i popullatës shqiptare në të gjitha shtresëzimet sociale të saj. Është kaq e theksuar kjo, saqë media e huaj, na e ka përmendur në aspektin grotesk të një lloj përpjekje identiteti, të cilit nuk i takojmë në përmasat që mendojmë dhe mëtojmë.
Për arsyen se nuk e kanë njohur regjimin komunist, por më shumë se kaq, atë lloj drejtimi historik të mbrapshtë që mori vendi dhe brenda kampit me të njëjtin kah ideologjik, organizmat dhe individët e ndryshëm të huaj e kanë të pamundur të kuptojnë këtë kërkesë, që tashmë është vërtetë përcaktimi i një nevoje identitare.
Por ndërsa në Forumin Strategjik të Bledit, Michel, kryetar i Këshillit Evropian, i bëri të ëndërrojnë dhe njëherë ballkanasit për integrimin në vitin 2030, pak orë më vonë presidentja e Komisionit Evropian Von der Leyen kujtoi se duheshin meritat e vendeve tona dhe qasjen e re, që vjen me Ukrainën dhe Moldavinë. Kjo na kthjelloi por edhe na kujtoi se fjalimi i saj nga specialistë u interpretua si një fjalim zgjedhor ose më shumë se kaq përgatitor për zgjedhjet e ardhshme në BE. Element, që nënkupton se pas zgjedhjeve, Ballkanin e presin sërish sfida por sidomos elementë të rinj retorike. Se do jetë apo jo Von der Leyen, kjo mbetet për t’u parë dhe pritur.
Megjithatë, në këtë qasje të saj pati dhe elementë pozitivë: Ballkanasve i është kërkuar sundimi i ligjit, ku presidentja e KE-së e ka përcaktuar si element parësor. Dhe, jo më kot, ajo propozoi që vendet e Ballkanit, këtej e tutje, të përfshihen në Raportin Vjetor të Sundimit të Ligjit të BE-së, pothuaj njësoj si vendet anëtare. Një element vërtetë i vlefshëm. Ose të themi një element i mirë për studiuesit por jo për burokracitë tona dhe mbi të gjithë për nivelin e demokracisë tonë, që tashmë ngado në Ballkan, ashtu edhe tek ne, ka karakter autokratik. Vala e zgjerimit duket se do të na përmbledhë në burokraci më të mëdha, por një gjë kuptohet lehtë: qeveritarët tanë të tanishmit dhe ata pas tyre do të kenë mundësi shumë më të mëdha t’i justifikojnë qasjet e tyre, sepse tashmë janë të veshura me vello evropiane dhe me burokraci. Ndaj, fjala e Von der Leyen, ishte tërheqëse, ashtu si fjala e Michel për integrimin ballkanik, porse retorika zgjedhore e BE-së, duke dashur “të përfitonte” edhe nga Ballkani nuk është aq lajm i mirë. Të paktën për demokracitë tona, që janë nën petkun e dhimbshëm të forcimit të autokracisë. (Javanews)