Kryeministri Edi Rama do të nisë sot një vizitë zyrtare dyditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryeministri Rama do të vizitojë Parlamentin dhe do të pritet në takim nga Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar Lindsay Hoyle, si dhe do të jetë i ftuar në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në një bashkëbisedim me auditorin.
Diskutime të rëndësishme mbi bashkëpunimin në fusha si ekonomia, arsimi, mjedisi, etj do të zhvillohen në tryezat e rrumbullakëta të nivelit të lartë, si ajo mbi partneritetin universitar midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë organizuar nga “University College London” dhe “British Council” dhe universitetet kryesore britanike, apo Tryeza e rrumbullakët e nivelit të lartë për biznesin, energjinë dhe mjedisin me përfaqësues të kompanive kryesore në Mbretërine e Bashkuar.