Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez gjatë fjalës së tij në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dënoi ashpër sulmin e Hamasit drejt Izraelit. Sanchez tha se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Palestinës është njohja e dy shteteve.
Duke dënuar ashpër sulmin që vijon prej më shumë se një jave, kryeministri Sanchez tha se Bashkimi Evropian duhet të punojë për të shmangur përshkallëzimin e dhunës.
“Ne takohemi në një moment kyç për komunitetin ndërkombëtar. Evropa është shembull që tregon se pajtimi është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.
Kjo është esenca e Procesit të Berlinit. Lufta e dhunës dhe konfliktit është e kundërta e asaj që ne mbrojmë. Ne dënojmë Hamasin për luftën dhe Izraeli ka të drejtën legjitime të mbrohet.
Ne duhet të punojmë për të shmangur përshkallëzimin e dhunës dhe të rigjallërojmë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje mes Izraelit e Palestinës. E vetmja mënyrë si mund të zgjidhet konflikti është njohja e dy shteteve”, u shpreh Sanchez.