Në prag të nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Prokuroria e Përgjithshme organizuan një tryezë për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, në fjalën e tij u shpreh se, “integriteti zgjedhor qëndron në themel të çdo shoqërie demokratike”.
“Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon institucione të forta, llogaridhënie, transparencë dhe angazhim të palëkundur ndaj shtetit të së drejtës. Prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit kanë detyrën thelbësore të hetimit, ndjekjes finale dhe luftës kundër krimit zgjedhor”, tha Tarran.
Tarran theksoi se, “megjithëse është bërë përparim raportet përfundimtare të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato vendore të vitit 2023 vënë në dukje se krimi zgjedhor, në veçanti shitblerja e votës, keqpërdorimi i burimeve të administratës dhe frikësimi i votuesve vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese”.
“Të dyja raportet rekomandojnë që organet ligjzbatuese të bëjnë çdo përpjekje për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha akuzat për shkelje zgjedhore, përfshirë shitblerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente”, tha Tarran.
Ambasadori u shpreh se, “votuesit duhet të informohen në mënyrë sistematike për mekanizmat përkatës, lidhur me raportin e shkeljeve, përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe garancitë kundër hakmarrjes”.
Tarran vlerësoi masat paraprake dhe të bashkërenduara të ndërmarra nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, SPAK-u dhe Policisë së Shtetit për sfidat që lidhen me krimet zgjedhore.
“Veprimet tuaja të përbashkëta dhe individuale pasqyrojnë vullnetin e fortë institucional për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, tha ai.
“Esenciale marrëveshja me Policinë e Shtetit. I rëndësishëm, Protokolli i Prgjithshëm që u arrit me SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Kemi vendosur që pranë KQZ do të ketë përfaqësues të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, një oficer i policisë gjyqësore dhe 1 prokuror. Secili të shfaqë gatishmëri për të raportuar krimet zgjedhore”, tha Olsian Çela.
Gjithashtu, Tarran, mirëpriti theksin që i është vënë transparencës dhe informimit në kohë të publikut për hetimet e krimeve zgjedhore.
“Ne vlerësojmë që organizatat e shoqërisë civile dhe media kanë rol të rëndësishëm për realizimin e mbikëqyrjes së pavarur duke plotësuar përpjekjet institucionale për të ekspozuar krimet zgjedhore dhe për ta fuqizuar llogaridhënien”, tha Tarran.
“Në gjuhën shqipe ka një shprehje të vjetër “Gur, gur bëhet kalaja”. Çdo përpjekje kontribuon në një qëllim më të madh. Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë të sigurohemi që shkeljet zgjedhore, jo vetëm të identifikohen, por edhe të hetohen dhe ndiqen penalisht pa vonesa dhe në mënyrë të plotë, duke përforcuar kështu besimin e publikut në procesin demokratik”, tha ambasadori i OSBE-së.
Në tryezë morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi si dhe prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, Policia e Shtetit dhe organizata të njohura të shoqërisë civile.