Arsyetimi i Celibashit:
Meqë nuk ka asnjë dokument tjetër, jemi në të njëjtën situatën si në seancën e shkuar. Dhe meqë nuk kemi kërkesë shtesë, japim gjykimin tonë mbi kërkesën për regjistrimin e PD. Çështja e përfaqësimit ligjor për të paraqitur kërkesën ka qenë në diskutim. Në vlerësimin ligjor, ka disa fakte e pretendime që i gjej të mbështetura në ligj e disa jo. Qëndron që Basha është kryetar i PD, ligjërisht dhe nuk qëndron tjetri se Berisha është ai kryetar i PD. Mbi këtë fakt ka legjitimitet pala e Bashës, ose persona të autorizuar nga ai kanë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për regjistrim si subjekt zgjedhor.
Por ky autorizim duhet të jetë plotësisht i qartë dhe i plotë. Dokumentacioni për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor, ka një mangësi themelore, deklarata duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kreu i PD, por rezulton e nënshkruar nga Alibeaj. Në bindjen time, deklarata solemne është një akt që nënshkruhet vetëm nga kreu i partisë. Sjell si shembull zgjedhjen e presidentit. Për të njëjtën vlerë juridike lidhur me kërkesën për regjistrimin si subjekt zgjedhor, mbart edhe deklarata solemne. Keni pretenduar se Alibeaj e ka të drejtën të nënshkruajë pasi është i autorizuar nga kreu i partisë, por pretendimi juaj nuk ka bazë ligjore.
Si solemniteti edhe urdhërimi nuk mund të delegojnë nëse ligji e parashikon ndryshe, në rast konkret nuk ka. Përgjegjësia e kreut të partisë është e njëjtë me përgjegjësinë e një dëshmitari në proces gjyqësor, që nuk transmetohet te tjetër, është gjithnjë personale. Nga ju u pretendua se është fakt i njohur se Basha ka dhënë dorëheqjen dhe s’mund të nënshkruajë. Vjen në kontradiktë me veprimet nga ana juaj, në vlerësimin tim nuk ka bazë ligjore. Kur është rasti të legjitimojë ty z. Sefa si përfaqësues, Basha është kryetar. Kur ju kërkohet që derisa është kryetar, duhet të përmbushë detyrimet që i ngarkon Kodi ju sillni në vëmendje pretendimin se ka dhënë dorëheqjen.
Në këtë rast, duhet që organet e partisë të depozitojnë në gjykatë njoftimet përkatëse, vendimet e mundshme të organeve përkatëse, duhet të depozitohen në regjistrin e partive. Kështu edhe në rastin konkret Basha ka dhënë dorëheqjen prej 2022, prej Bashës nuk ka asnjë dokument në lidhje me administrimin e dorëheqjes së tij. Duhet ta kishit depozituar dorëheqjen në gjykatë. Organet e tjera drejtuese, kanë patur rreth një vit kohë për të bërë depozitimet e akteve në regjistrimin e partive, vetëm kështu kushdo tjetër kishte kompetencat e kreut të PD edhe pa qenë kryetar.
Në kushtet kur nuk është bërë depozitimi i dorëheqjes, atëherë Alibeaj si nënkryetar mund të pranohet se i ushtron disa kompetenca, por jo të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë e kryetarit. Ndaj në kushtet kur deklarata nuk është sipas ligjit, kërkesa e PD për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet.