Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit Ilir Turja, duke e nxjerrë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit nr. 584, datë 07.11.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Ilir Turja.
Më 7 nëntor 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pati vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, për mosjustifikim të burimeve të mëdha financiare në ndërtimin e një objekti trekatësh me papafingo dhe bodrum të regjistruar në emrin e babait të tij në vendin e quajtur “Plazhi i Durrësit”, por që u dyshua se ishte pasuri e tij.
Turja i pati kundërshtuar konkluzionet e KPK për këtë pasuri duke theksuar se nuk ishte bashkëpronar, por vetëm përdorues i një pjese të objektit. Ai pohoi se e kishte deklaruar rregullisht këtë banesë si adresë dhe pretendoi se KPK nuk i kishte përfshirë në analizën financiare të gjitha burimet e krijimit.
Ilir Turja e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Njoftimi i KPA:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 1/2023, datë 10.01.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ilir Turja kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 584, datë 07.11.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 584, datë 07.11.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Ilir Turja.
– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.