Nga Edmond Hoxhaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 12 korrik me pretendimet e gjyqtarit të Apelit Shkodër, Aleks Nikolli, kundër vendimit të Komisionit që e shkarkoi atë më 10 gusht 2020 për probleme në kriterin e pasurisë. Kryesuesja e trupit gjykues të KPA, Albana Shtylla sqaroi të mërkurën se pas shqyrtimit të ankimit të Nikollit në dhomë këshillimi, është vendosur kalimi i çështjes për shqyrtim në seancë publike me qëllim korrigjimin e gabimeve të kryera nga Komisioni në vlerësimin e një apartamenti dhe dy shtesa në Lezhë në pronësi të vëllait të subjektit dhe të përdorur në vijimësi nga ky i fundit me anë të një kontrate huapërdorje të ndërsjellë. Në këmbim të apartamentit në qytetin e Lezhës, subjekti i ka dhënë në përdorim vëllait që jeton në Angli, një banesë dhe tokën në fshatin Ishull-Lezhë.
Gjyqtari Nikolli vërejti se mbrojtja e tij ishte për të gjitha shkaqet, megjithatë pranoi të paraqiste kundërshtimet ndaj vendimarrjes së Komisionit për shkakun për të cilin është kaluar çështja për shqyrtim në seancë publike.
Në vendimin e Komisionit lidhur me këtë apartament konstatohet se nuk është vërtetuar mundësia e vëllait të subjektit dhe bashkëshortes së tij për krijimin e depozitave që kanë shërbyer si burime për këtë investim.
Po ashtu, blerja e një apartamenti të vjetër të amortizuar dhe investimi në dy shtesa e mobilim në vlerën totale 12.5 milionë lekë, vlerësohet nga Komisioni se nuk justifikon shpenzimin e lartë të kryer nga vëllai i gjyqtarit Nikolli. Sipas KPK, blerja e banesës krijon më shumë dobishmëri për subjektin e rivlerësimit, pasi apartamenti gjendet në të njëjtën ndërtesë dhe kat ku ndodhet edhe apartamenti i prindërve të bashkëshortes.
KPK arrin në përfundimin se kontrata e huapërdorjes së ndërsjellë e lidhur ndërmjet subjektit dhe personave të tjerë të lidhur me të, nuk është e besueshme dhe, për rrjedhojë, krijohet bindja se apartamenti kryesor dhe dy shtesat në qytetin e Lezhës, të regjistruara në emër të vëllait të gjyqtarit Aleks Nikolli, janë pasuri të fshehura të këtij të fundit.
Komisionerja Brunlida Bekteshi në mendimin paralel ka vlerëson se nuk ka vend për fshehje në gjetjet e kësaj pasurie në përdorim, por ajo ndan të njëjtin qëndrim lidhur me mosvërtetimin e burimeve të ligjshme. Ndërsa në mendimin e pakicës nuk arsytohet për këtë pasuri.
Nikolli theksoi se relatori i çështjes së tij në Komision, Olsi Komici, ka marrë atributin e gjithë trupës duke mbajtur qëndrim të padrejtë e tendencioz. Sipas subjektit, duke qenë se konkluzioni në vendimin e KPK është një mendim personal i relatorit dhe jo i shumicës, e bënë të parregullt procesin në shkallën e parë. Sipas tij, vendimi fokusohet tek ky qëndrim personal, kur ka opinion pakice.
“Shkelja është flagrante dhe e padëgjuar më parë”, pohoi Nikolli dhe e cilësoi konkluzionin për këtë pasuri si qëndrim personal trë relatorit të çështjes në KPK.
Subjekti këmbënguli se kjo pasuri është përfshirë gabimisht në hetimin administrativ, pasi i vëllai nuk mund të konsiderohet person i lidhur. SIpas tij, vëllai nuk mund të konsiderohet si person i lidhur në këtë rast, përse rezulton në një cilësi të tillë për një pasuri tjetër.
“Kontrata e huapërdorjes jo vetëm që nuk është kontratë dhurimi apo huaje, por është reciproke, nuk është pa kundërshpërblim”, pohoi subjekti dhe shtoi se vëllai nuk pësonte ndonjë dëm nga përdorimi i ndërsjellë i banesave.
Sipas Nikollit, kontrata e përdorimit reciprok të pasurive ishte kryer me kërkesë të vëllait, pasi apartamenti tyre nuk ishte përdorur për një periudhë kohe, ndërkohë që druheshin ta jepnin me qira tek të tjerë persona, pasi mund të dëmtohej.
Ai deklaroi se vëllai është në emigrim prej dekdash dhe se vjen rregullisht në Shqipëri së bashku me familjen dhe qëndrojnë në shtëpinë në fshat.
Në vijim, Nikolli kundërshtoi balancën negative të konstatuar në KPK për krijimin e kësaj pasurie prej vëllait të tij. Subjekti pretendoi se kishte vërtetuar me dokumentacion ligjor se vëllai kishte pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për investimin dhe paraqiti një analizë të detajuar të të ardhurave hde shpenzimeve të të vëllait. .
Lidhur me konstatimin se vëllai kishte investuar më pak për blerjen e një apartamenti në Londër nga sa kishte shpenzuar për banesën dhe shtesat në Lezhë, Nikolli sqaroi se shtëpinë në Angli i vëllai e kishte blerë nga bashkia, me çmim sa kostoja e ndërtimit.
Po ashtul, Nikolli kundërshtoi përcaktimin e KPK-së lidhur me kohën e ndërtimit të shtesave duke paraqitur ortofoto.
Lidhur me konstatimin se banesa është blerë nga i vëllai pranë apartamentit të vjehrrit të subjektit, ky i fundit tha se lidhja e vetme ishte vetëm informacioni që kishte dhënë babai i bashkëshortes se shtëpia ishte në shitje. Subjekti këmbënguli se nuk qëndronte dhe konstatimi për pasuri të fshehur.
Në përfundim të seancës, relatorja e çështjes në KPA, Natasha Mulaj i drejtoi subjektit disa pyetje, konkretisht për kohën kur kishte filluar të banonte në apartamentin në emër të vëllait dhe përse e kishte deklaruar më parë si adresë banimi; për çeljen dhe përdorimin e depozitave; për mosdeklarimin e përdorimit të kësaj pasurie dhe frekuencën e përdorimit të shtëpisë së tij në fshat nga ana e vëllait.
Nikolli sqaroi se pas martesës kishte jeytuar tek shtëpia e prindërve të bashkëshortes në të njëjtin kat me apartamentin e të vëllait. Sipas tij, adresa e të dy pasurive është e njëjtë pasi nuk kanë numër.
Lidhur me autorizimin për përdorimin e depozitave, subjekti argumentoi se një gjë e tillë ishte bërë pasi nëna ishte e moshuar. Ai deklaroi se depozitat ishin krijuar me të ardhurat e familjarëve në emigracion dhe nga bujqësia.
Nikolli i qëndroi pretendimit se nuk e kishte pasur detyrim të deklaronte përdorimin e apartamentit në vite dhe sqaroi se në shtëpinë e tij në Ishull-Lezhë, vëllai qëndron sa herë që vjen nga Anglia.
Pasi u tërhoq, trupi gjykues i KPA vendosi të moslejojë marrjen si provë të akteve që subjekti kishte bashkëlidhur ankimit. Lidhur me kërkesën e Nikollit për të aksesuar informacione nga burime të hapura, u vlerësua se ato mund të konsultohen në kuadër të këtij gjykimi.
Në përfundim të seancës, KPA mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për vendim, që do të shpallet më 14 korrik, në orën 13:00.