Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale të premten, duke njoftuar se çmimi i rrymës është rritur për rreth 16 për qind.

Gjatë mbledhjes të mbajtur më 11 prill, Bordi i ZRRE-së nuk tregoi se sa do të rritej çmimi i rrymës, por Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj mësoi se rritja do të ishte rreth 16 për qind.

Ndërkohë, pak orë pas vendimit të ZRRE-së, një numër qytetarësh protestuan në sheshin Zahir Pajaziti në qendër dhe pranë zyrës së rregullatorit në Pejton.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

Bordi i ZRRE-së i miratoi kërkesat e tyre në mbledhjen e së premtes.

Më herët, ZRRE-ja njoftoi se tarifat e reja do të hynin në fuqi më 1 maj.

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të javën e kaluar.

Qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.

Çmimi i deritanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se rritja eventuale e çmimit të rrymës do të rriste kostot operative të bizneseve. Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.

Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

Shtrenjtimi ka nisur në kohën e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka marrë hov pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 2022.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.