Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me idenë për mbylljen e TikTok dhe Snapchat, gjatë konsultimi publik me prindër, mësues, e staf mbështetës mbi fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes tyre për të parandaluar shfaqjet e dhunës tek të miturit.

Rama tha se mbyllja e këtyre dy aplikacioneve nuk zgjidh problemin, por ngushton hapësirën që nxit dhunë.

“Tani duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të vërtetë me njëri-tjetrin, që ky problem është më i gjerë sesa kaq. Nuk është thjeshtë çfarë ndodh brenda mureve të shkollës.

Ky problem është shumë përtej policisë, nuk është thjeshtë çështje policie dhe mbi të gjitha ky problem është jo vetëm brenda mureve të shtëpisë, që të gjithë ata që kanë fëmijë në një moshë para adoleshencës apo në adoleshencë e dinë shumë mirë se çfarë lloj beteje është me ato mrrokllat, as vetëm brenda mureve të shkollës, por edhe në hapësirën mes të dyjave, në të gjithë ndërveprimet e tjera mes të dyjave dhe s’dua të zgjatem më shumë që t’ju them që vetëm sikur për një moment të imagjinonim që atmosfera e mbingarkuar, me gjuhë të egër, me sjellje të egër, që përcillet përmes kanaleve mediatike të zbutej, të ishte një zbutje e përgjithshme.

Por këtë s’është se e kemi shumë në dorë dhe nuk e di se çfarë ilaçi ka.

Thënë të gjitha këto sigurisht që ideja për të ndaluar TikTokun dhe/ose SnapChat si dy platforma që janë problematike, – të gjitha platformat janë problematike në fakt, por këto dyja janë problematike për arsye specifike – është një ide që ne e kemi diskutuar gjatë prej kohësh, jo sot dhe që me këtë rast menduam që ta shtrojmë për një diskutim më të gjerë sepse nuk është kaq bardhë e zi, nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, që e frymëzon, që e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi.

Kështu që, duke i thënë të gjitha këto dhe duke qenë shumë i dëshiruar për të dëgjuar edhe komentet tuaja, ju falënderoj dhe një herë për praninë dhe për durimin. Dhe fjala është për këdo prej jush që dëshiron të thotë mendimet dhe plus mundësisht dhe sugjerimet përkatëse sepse të gjithë mësuesit apo prindërit kanë këndet e tyre dhe kur mësuesit janë dhe prindër e shohin nga të dyja anët subjektin për të cilin ne jemi të interesuar më shumë se për çdo gjë tjetër, që janë fëmijët”, tha Rama.