Interpol i Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi ka konfirmuar arrestimin e Durim Bamit për të dytën herë, pasi ishte arretsuar më parë edhe në muajin qershor. Policia e Shtetit konfirmoi për News24 se Durim Bami është arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare.
Në vazhdim do të vendoset nëse Bamin do ta sjellin në Shqipëri, ndërsa policia shqiptare është në kontakt me homologët e Abu Dhabi. Bami pritet të sillet në Shqipëri me të njëjtën mënyrë që u dërgua Plaurent Dervishaj, duke ndjekur procedurën e deportimit.
Ekstradimet nga Dubai kanë rezultuar të pamundura për Shqipërinë, gjë që e ka bërë këtë vend në Lindjen e Mesme destinacion të shumë personazhe të krimit shqiptar.
Durim Bami është shpallur në kërkim nga SPAK në muajin maj, si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndoka si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Tori Xheçukën.
Bami, i njohur edhe si i forti i Niklës ishte shoqëruar më datë 21 tetor, ndërsa ka qenë me masën e mbikëqyrjes së vazhdueshme policore, që prej ndalimit të tij në qershor 2024. Bami është një nga personazhet që del edhe në komunikimet “Sky ECC” aleancat që ai ka krijuar apo është bërë pjesë në përplasjet që kanë pasuar mes grupeve kriminale.