Një grup i gjerë shtetesh arabe ka refuzuar një ide të hedhur nga Presidenti Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Gaza në Egjipt dhe Jordani.

Ata në një deklaratë të përbashkët u shprehën se një plan i tillë rrezikonte zgjerimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Deklarata, e nënshkruar nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite dhe shtete të tjera arabe, nuk e përmendi drejtpërdrejt komentet e Trump, por paralajmëroi se çdo plan që inkurajon “transferimin ose rrënimin e palestinezëve nga toka e tyre” do të kërcënonte stabilitetin në rajon dhe “do të minonte mundësitë për paqe dhe bashkëjetesë mes popujve të tij”.

Gjatë ditëve të fundit, Trump ka sugjeruar disa herë që më shumë palestinezë nga Gaza duhet të evakuohen nga enklava dhe të priten në Jordani dhe Egjipt.

Ata nga e djathta ekstreme në Izrael kanë bërë thirrje të ngjashme për palestinezët që të largohen nga territori.

“Po flasim për ndoshta një milion e gjysmë njerëz, dhe ne do ta pastrojmë tërë atë zonë”, tha Trump për Gazën javën e kaluar.

“Nuk e di. Diçka duhet të ndodhë, por tani është një kantier shkatërrimi”.

Ai tha se palestinezët mund të qëndrojnë në Jordani dhe Egjipt “përkohësisht, ose mund të qëndrojnë afatgjatë”.

Nuk ishte e qartë nga komentet e Trump nëse ai po sugjeronte që e gjithë popullsia e Gazës — më shumë se dy milionë njerëz — duhet të largohej.

Për palestinezët, edhe sugjerimi i një ekzili të tillë masiv evokon kujtime të dhimbshme historike: Qindra mijëra palestinezë u zhvendosën në vendet fqinje gjatë luftës që pasoi krijimin e Izraelit në vitin 1948.

Pas largimit, Izraeli nuk ua lejoi atyre kthimin dhe shumë prej tyre ende konsiderohen refugjatë formalisht.

Egjipti dhe Jordania refuzuan menjëherë thirrjen e Trump.

Të dyja këto shtete kanë marrëveshje paqeje të gjatë me Izraelin dhe mbështesin një shtet palestinez, por gjithashtu frikësohen që një fluks i madh palestinezësh që do të qëndronin përkohësisht mund të shkaktonte trazira të brendshme.

Deklarata e të shtunës ishte një shfaqje e dukshme e unitetit nga bota arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Autoriteti Palestinez dhe sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe gjithashtu nënshkruan deklaratën, që erdhi pas një takimi të ministrave të Jashtëm në Kajro.

Deklarata tha se shtetet presin të punojnë me administratën e Trump për “të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme, në përputhje me zgjidhjen e dy shteteve”.

Gjatë administratës së tij të mëparshme, Trump paraqiti një plan që palestinezët thanë se nuk i ofronte atyre një shtet të vërtetë të pavarur.

Ende nuk është e qartë se çfarë mund të synojë ai gjatë mandatit të tij aktual dhe cilat janë vizionet e tij afatgjata për Gazën dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Administrata Trump duket se është e gatshme të angazhohet me fuqitë e Gjirit, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi presidenti gëzoi marrëdhënie miqësore me të dyja gjatë mandatit të tij të parë.

Por qëndrimi i Trump për Gazën mund të komplikojë këto përpjekje.

Administrata e tij synon të ndërmjetësojë një marrëveshje më të gjerë paqeje në Lindjen e Mesme që do të përfshijë normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, një marrëveshje që Trump e kërkoi gjatë mandatit të tij të parë.

Por lufta në Gaza, në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamas më 7 tetor 2023, ka shkaktuar ndryshime të mëdha në rajon.

Inat i gjerë mbi luftën, që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe zhvendosje të popullsisë, ka risjellë vëmendjen për çështjen e shtetësisë palestineze.

Kreu i Arabisë Saudite, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, ka thënë se vendi i tij nuk do të krijojë marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa një shtet palestinez.