Zanafilla e atij që sot njihët si Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni më lartë të auditimit financiar publik në Shqipëri, daton gati një shekull më parë… në vitin e largët 1925. Asokohe nën emërtesën “Dhoma e Deputetëve”, organi i dalë pasi Asambleja Kombëtare miratoi të parin Statut Themeltar të Shtetit Shqiptar, sot Kushtetuta …kishte atributet e një institucioni që kishte të drejtë dhe detyrë të kontrollonte qeverinë, për mbrojtjen e interesave të përgjithshme të vendit.
Me të njëjtin mision, ndër vite emërtesat ndërruan nga Këshilli Kontrollues në 1928-n, në Komisioni i Kontrollit të Shtetit me ardhjen e komunizmit. Me ndryshimin e sistemit, në vitin 1992 institucioni i auditit u quajt Shërbimi i Kontrollit të Shtetit, ndërsa prej vitit 2000 njihet zyrtarisht si Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucion i pavarur, kushtetues, i cili nëpërmjet ekspertizës dhe auditimeve cilësore, mbështet Kuvendin dhe informon publikun dhe palët e interesit në mënyrë të vazhdueshme, të paanshme dhe të plotë mbi përgjegjshmërinë që qeveria dhe entet publike tregojnë në menaxhimin e parasë së taksapaguesve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve publike.”
Duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka për detyrë të kontrollojë veprimtarinë ekonomiko-financiare të institucioneve; përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore; veprimtarinë ekonomike të personave juridikë si dhe fondet që iu janë dhënë partive politike dhe shoqatave. Gjithashtu KLSH kryen mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të kontroll-revizionit si dhe subjekteve të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta.
“Çfarë thotë KLSH-ja është njësoj si Gjykata Kushtetuese për ligjet.”
Ndër vite, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportet e ndryshime të auditit në institucionet publike ka identifikuar abuzime fonde e tenderë, por pjesa më e madhe e tyre kishin rënë në vesh të shurdhër. Por arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako pasi Gjykata e Posaçme firmosi një urdhër-arrest ndaj tij të lëshuar nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës të ngritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më Herët duket se përmbysi gjithçka.
Si pasojë e gjetjeve dhe akuzave të ngritura nga KLSH, në SPAK përfundoi edhe ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi ndërsa ai i Himarës, Jorgo Goro po vuan dënimin në burg.
Si bazë për kallëzimin e tij nga ish-kryebashkiaku tjetër i Himarës, Fredi Beleri shërbeu një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Bashkinë e Himarës për vitet 2019-2021. KLSH ka gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mos-mbledhjes dhe mos-pasqyrimit të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë, si dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.
Zër i KLSH-së u bë edhe më i fortë me denoncimet e institucionit pas gjeteve dhe paralajmërimeve në Spitalin Onkologjik apo denoncimeve për pronat shtetërore që jepeshin duke shkelur ligjet. Emri i KLSH-së filloi të lakohej e sulmohej edhe më shumë pas të ashtuquajturit “skandali me akulloret.”
Paralelisht me forcimin KLSH-së që duhet se po vjen kryesisht nga SPAK-u, edhe qeveria nuk ndenji duarkryq. Me propozim të deputetit socialist Eduart Shalsi, Kuvendi votoi për ngritjen e nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik” .
Në këtë kontekst, llogaritë e KLSH do të auditohen nga kjo strukturë parlamentare nëpërmjet audituesve të jashtëm të kontraktuar prej saj.
Nënkomisioni do të drejtohet në mënyrë bipartizane me bashkëkryetarë të shumicës dhe opozitës ndërsa në përbërje ka 5 anëtarë, ku shumicën e ka PS-ja.
Edhe pse deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë e kanë mbështetur propozimin, ata shfaqën mosbesim në qëllimet e mazhorancës dhe ngritën pikëpyetje për tentativa që të kontrollojnë këtë institucion të pavarur
Në raportin e fundit të dorëzuar në Kuvend për menaxhimin e financave publike nga qeveria, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023.