Një i ri që mbante në krah një çantë marsup është futur në parking dhe ka vjedhur  automjetin “Range Rover” në pronësi të një biznesmeni nga Elbasani, i cili ishte larguar jashtë vendit.

Burime pranë policisë thanë se 42-vjeçari ndezi makinën dhe u largua, por u kujdes që të ndezë një pajisje bllokues GPS-i, e cila e bëri të vështirë gjurmimin e policisë.

Makina u gjet më vonë pas vëzhgimit të kamerave të sigurisë, në të gjithë itinerarin që kishte kryer hajduti, i cili e parkoi në garazhin e një pallati në zonën e Astirit. Hetuesit dyshojnë se makina do të përdorej në vijim nga Haka për ngjarje kriminale.

Atë ditë u shpall në kërkim pronari i garazhit Ernis Morinaj, i cili dyshohet bashkëpunëtor, por policia ende nuk ka arritur ta lokalizojë.

Ai dhe Bledi Haka nuk rezultojnë të kenë dalë jashtë territorit të Shqipërisë, referuar sistemit TIMS. Burime të policisë bëjnë me dije se javët e fundit rezultojnë të vjedhura edhe dy makina të tjera “Range Rover” në territorin e Komisariatit të Vorës. Bledi Haka rezulton me precedent të theksuar kriminalë të mëparshëm.

Një vit më herët në 2019-ën iu gjetën armë dhe para në makinë, ndërsa në 2012-ën Bledi Haka mbeti i plagosur në ambientet e një lokali në Tiranë, pas një sherri masiv mes disa personave për shkak të një borxhi bastesh.

Përdorimi i makinave të vjedhura në ngjarje kriminale është kthyer në një fenomen shqetësues pasi në shumicën e rasteve vonon zbardhjen e ngjarjeve kriminale por shpesh pamundëson edhe zbulimin e tyre.