Pas nisjes së regjistrimit të popullsisë në komunën Pustec në Shqipëri, kryetari i fondacionit të organizatës bullgare “Maqedonia”, Viktor Stojanov, ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke thënë se nëse banorët nuk regjistrohet si bullgar etnik në regjistrim, pasaportat e tyre bullgare do të tërhiqen menjëherë dhe se të gjitha proceset e tjera si dhënia e shtetësisë do të ju ndërpritet.
“Për të gjithë banorët e komunës së Pustecit, Shqipëri: Nëse nuk regjistroheni tani si bullgarë etnikë në regjistrim, shtetësia bullgare do të ju hiqet sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se nëse jeni në proces të dhënies së shtetësise, procedurat do të ndërpriten menjëherë. Tashmë kemi një rast të tillë. Mendoni për këtë”, ka deklaruar Viktor Stojanov, kryetari i fundacionit të organizatës bullgare “Maqedonia”, raporton televizioni Shenja.
Ndërkaq, në fillim të kësaj jave kur filloi procedura e regjistrimit në Shqipëri , fondacioni “Maqedonia” , përmes një postimi në rrjetin social fejsbuk u bëri thirrje banorëve të Shqipërisë për të mos e anashkaluar përkatësinë etnike dhe të regjistrohen si bullgar etnikë.
“Apel nga fundacioni Maqedonia për bullgarët në Shqipëri- regjistrohuni si bullgarë etnik, me gjuhën amtare bullgare. I kujtojmë edhe ata që kanë shtetësi bullgare se janë të detyruar ndaj Bullgarisë të shkruhen si bullgarë, ashtu si bullgarët me origjinë dhe dëshirojnë të marrin shtetësi bullgare në të ardhmen, të shkruajnë vetë si bullgarë etnik dhe në asnjë çast të mos anashkalojnë çështjen për përkatësinë etnike”, ka deklaruar Fondacioni i organizatës bullgare “Maqedonia”.
Nga organizata gjithashtu shtojnë se përfaqësuesit e tyre do të qëndrojnë në Shqipëri deri në përfundimin e regjistrimit.
Gjatë regjistrimit të popullsisë, zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, ishte në vizitë për disa ditë në Shqipëri gjatë së cilës kishte vizituar fshatrat Golemo Ostreni dhe Golo Bordo të cilët janë të banuara më së shumti me popullatë maqedonase.
Pas lajmit të vizitës së zëvendpresidentes bullgare, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka komentuar vizitën e saj duke thënë se vendi ka marrë garanci nga autoritetet shqiptare dhe se regjistrimi do të bëhet në përputhje me standardet botërore dhe të Eurostatit.