Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërcënimeve të ministrit të Mbrojtes së Serbisë, Millosh Vuçeviç ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Rama i quan “të rrezikshme” dhe “të papranueshme” deklaratat e Vuçeviç për mediat serbe, ku tha se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi “nuk do jenë të qeta” edhe pse janë pjesë e NATO-s.

Vuçeviç shprehu qefmbetjen me dy shtetet e rajonit për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Rama thotë në reagimin e tij se rajoni ka ecur përpara gjatë dekadës së fundi aq sa s’mund të imagjinohej.

“Jemi të përkushtuar plotësisht ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare thotë se “Evropa e Madhe është e ardhmja” e vetme.

Reagimi i Ramës:

“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.

Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”.

Çfarë deklaroi ministri serb i Mbrotjes Milosh Vuçeviç:

Gjatë një deklarate për media, Vuçeviç tha se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë “ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë” duke njohur Kosovën.

“Ato kanë bërë një gabim që do t’i përndjek përsëri, ashtu siç po i ndjek të gjithë në rastin e Ukrainës, që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ato kanë hapur kutinë e Pandorës”, tha Vuçeviç.