Pasi një përdorues anonim në rrjetin TikTok krijoi një këngë duke përdorur inteligjencën artificiale, për të cilën shumë njerëz menduan se ishte realizim i yjeve të muzikës, ekspertët thonë se industria e muzikës duhet të gjejë një mënyrë se si ta trajtojë këtë çështje.
Teksti, ritmi dhe zërat e një kënge të postuar në rrjetin Twitter nga përdoruesi anonim “Ghostwriter977” tingëllonte njësoj si muzikantët e famshëm Drake dhe The Weeknd.
“Heart on my Sleeve”, krijuar nga inteligjenca artificiale, i mahniti artdashësit, por nga ana tjetër irritoi drejtuesit e industrisë. Ekspertët thonë se nuk është e vështirë ta përdorësh inteligjencën artificiale për të krijuar.
Zëri i Amerikës bisedoi me profesoreshë Rebbecca Fiebrink nga Universiteti i Arteve në Londër.
“Kur një kompjuter ka një lloj kuptimi të modeleve që qëndrojnë në themel të zërit në përgjithësi, nuk nevojiten domosdoshmërisht shumë të dhëna nga The Weeknd për të prodhuar tinguj që tingëllojnë si ai”.
Kompania muzikore “Universal Music Group”, e cila përfaqëson të dy artistët, publikoi një deklaratë ku thekson nevojën për të mbrojtur muzikën e artistëve. Kënga u hoq nga shumë rrjete. Ekspertët thonë se eksperimente të tilla me AI janë vetëm fillimi.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Ge Wang, me Qendrën për Kërkime Kompjuterike në Muzikë dhe Akustikë në Universitetin Stanford.
“Nuk ka kthim mbrapa. Duhet të mësojmë si të jetojmë më mirë me të.”
Profesori Wang shpreh shqetësim lidhur me shpejtësinë me të cilën po zhvillohet inteligjenca artificiale.
“Rrezikohet mënyra se si komunikojmë, punojmë apo qeverisim. Rrezikohet mënyra e të bërit art”.
Profesoresha Fiebrink thotë se industria e muzikës do të duhet të vendosë se si ta luftojë ose ta përdorë inteligjencën artificiale.
“A do të vendosin se mënyra më e mirë për të fituar para është të prodhojnë këngë me AI, çka nuk përfshin artistët, në mënyrë që të fitojnë më shumë për veten dhe të mos paguajnë këngëtarët?”
Që nga publikimi i këngës “Heart on my Sleeve”, muzikantja Grimes nxori një program zanor me inteligjencë artificiale që u mundëson përdoruesve të krijojnë muzikë me zërin e saj, duke ofruar ndarjen e fitimeve me 50%.