Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është mbledhur këtë të premte për të shqyrtuar ankimin e Partisë Demokratike për pavlefshmërinë e rezultatit në qarkun e Elbasanit.

Por mbledhja u ndërpre për shkak të një përplasje mes relatorit të KAS, Ilir Rusmaili dhe përfaqësuesit të PD, Marash Logu.

Logu: Ka pasur një deklaratë komisioneri shtetëror i zgjedhjeve më 10 qershor sipas së cilës komisioneri shtetëror i zgjedhjeve ka kursyer rreth 2 milionë nga kontrata me DHL. Në 12 qershor ka pasur një komunikim tjetër sipas së cilës KQZ nuk do paguajë operatorin postar DHL në asnjë rast kur mungon nënshkrimi apo kur ka vetëm një vizë dhe një pikë.

Kostoja për marrjen e një zarfi dhe dërgimin është 37.5 euro. Nëse KQZ ka bërë një vlerësim paraprak që do të kursejë 2 mln euro a do të thotë që ka një vlerësim që të paktën që në 53 mijë raste mungon nënshkrimi i zgjedhësit?

Rusmaili: Duhet të vendoset qetësia në sallë, qetësi dhe komunikim korrekt me njëri tjetrin, po flet nga vendi pa leje, kjo tregon nervozizëm.Duhet të qetësohesh dhe përgatitesh të mos krijosh incidente. Nuk janë të mira për procesin, do bëjmë 10 minuta pushim.