Kandidatja e ASHM në qarkun e Durrësit, Andia Ulliri, ka depozituar një ankesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kundërshtuar shpërndarjen e mandateve për këtë qark. Sipas saj, procesi nuk ka respektuar kuotën gjinore të përcaktuar në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.

ASHM siguroi 6 mandate në qarkun e Durrësit, 5 prej të cilëve u caktuan përmes listës së mbyllur. Ndërkohë, Partia Socialiste fitoi 8 mandate, duke përmbushur kuotën gjinore me përfaqësim 50% të grave.

Në ankesën e saj, Ulliri – e cila ishte kandidatja femër më e votuar në listën e hapur të ASHM – thekson se renditja aktuale e kandidatëve fitues, e publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së, nuk garanton përfaqësim të drejtë gjinor.

“Veprimi për të shpallur të zgjedhur z. Arjan Ndoja, si kandidati më i votuar në listën e hapur, është në kundërshtim me ligjin dhe përbën shkelje të parimit kushtetues të përfaqësimit gjinor.

Në rastet kur nga renditja nuk rezulton që një në tre emra të përfaqësojnë gjininë më pak të përfaqësuar, lista duhet të korrigjohet sipas dispozitave ligjore,” thuhet në kërkesën e Ullirit.

Ajo thekson më tej se interpretimi i bërë nga KQZ për renditjen përfundimtare është i pambështetur në ligj dhe nuk bazohet në asnjë vendim të Komisionit Rregullator.

Sipas saj, lista unike e kandidatëve duhet të garantojë që një në tre mandate të shkojë për gjininë më pak të përfaqësuar, duke u bazuar te rezultati i votave parapëlqyese dhe jo vetëm te renditja e listës.