“Ne nuk jemi në luftë, por nuk jemi as në paqe”, tha dje, të hënën (29/9), kancelari gjerman Friedrich Merz, duke nënvizuar se bota po përjeton ndryshime themelore.

Duke folur në një aktivitet të organizuar nga gazeta Rheinische Post, Merz tha se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po zëvendësohet nga politika e forcës brutale, shpesh e shoqëruar me dhunë ushtarake. “Ne jetojmë në një botë krejtësisht të ndryshme”, tha kancelari gjerman.

Merz nuk e fshehu shqetësimin e tij në lidhje me fluturimet e fundit të dronëve mbi Danimarkë dhe shtetin gjerman të Schleswig-Holstein. Ai tha se ndërsa nuk kishte asnjë tregues se dronët ishin të armatosur, ata ishin të pajisur me sisteme mbikëqyrjeje dhe kishin një hapje krahësh deri në tetë metra. “Ne ende nuk e dimë nga vijnë, por dyshimet po tregojnë Rusinë”, tha ai.

Përballimi i këtij kërcënimi është i ndërlikuar, pasi Gjermania është një vend me popullsi të dendur, vazhdoi Merz, duke shpjeguar se rrëzimi i një droni tetë metrash paraqet rreziqe. “Mund të rrëzohet në një oborr, në një çerdhe ose në një spital. Ne duhet të jemi vërtet të kujdesshëm” në çdo trajtim, tha kancelari gjerman, duke shtuar se qasja më e mirë do të ishte parandalimi i hyrjes së dronëve të tillë në hapësirën ajrore të shteteve evropiane që në fillim./kohajuaj