Kancelari gjerman Friedrich Merz përshëndeti të dielën marrëveshjen tregtare të arritur midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se ajo shmangu një “përshkallëzim të panevojshëm në marrëdhëniet tregtare transatlantike”.

“Është një zhvillim pozitiv që BE-ja dhe SHBA-ja arritën një marrëveshje mbi tarifat ”, tha Merz, duke theksuar se kjo “shmangi një konflikt tregtar që do të kishte ndikuar rëndë në ekonominë gjermane, veçanërisht në sektorin e automobilave. Kështu, ne kemi arritur të ruajmë interesat tona themelore, edhe nëse do të kisha dëshiruar më shumë lehtësim në tregtinë transatlantike,” tha Merz në një deklaratë zyrtare pas shpalljes së marrëveshjes.

Pavarësisht asaj që është arritur, Merz e ka bërë të qartë se Gjermania nuk do të ndalet me kaq. “Do të vazhdoj të nxis për uljen e tarifave dhe eliminimin e barrierave tregtare, duke përfshirë edhe përmes marrëveshjeve të tjera tregtare”, u citua ai nga Reuters.

Ndërkohë, kancelari Merz u zotua se do të mbështesë Komisionin Evropian në negociatat e mëtejshme që do të zhvillohen mbi detajet teknike të marrëveshjes.

Megjithatë, marrëveshja është pritur me kritika të forta nga disa prej sektorëve më të mëdhenj të industrisë gjermane.

Sipas kushteve të reja, shumica e eksporteve nga blloku evropian do t’i nënshtrohen një tarife prej 15 përqind. Kjo përbën një ulje krahasuar me kërcënimin e mëparshëm të vendosjes së tarifave deri në 27.5 përqind, veçanërisht mbi industrinë e makinave — një nga shtyllat e ekonomisë gjermane.

Merz shprehu lehtësim të veçantë për këtë sektor, i cili do të kishte qenë ndër më të goditurit nga masat e mëparshme tarifore. Përveç industrisë automobilistike, edhe industritë kimike dhe të makinerive në Gjermani janë shumë të varura nga eksportet drejt SHBA-së.

Por reagimet nga grupet industriale ishin kryesisht negative. Federata e Industrive Gjermane (BDI) e quajti marrëveshjen një zhvillim me “pasoja të konsiderueshme negative”, që “dërgon një sinjal fatal për ekonominë e ndërvarur ngushtë në të dy anët e Atlantikut”.

Shoqata e Kimisë (VCI) u shpreh se tarifat e reja mbeten “shumë të larta” dhe paralajmëroi se marrëveshja ka një kosto të rëndë.

“Kur dikush pret një uragan, i gëzohet një stuhie të thjeshtë,” thuhej në deklaratën e saj. “Një përshkallëzim u shmang, por kostoja është e lartë për të dyja palët.”

Në të njëjtën linjë ishte edhe Shoqata Gjermane e Eksportuesve (BGA), që e përshkroi marrëveshjen si një “kompromis të dhimbshëm” që mund të krijojë një “kërcënim ekzistencial” për shumë kompani eksportuese.

Nga ana tjetër, ekonomisti Clemens Faust, drejtues i Institutit të njohur IFO, u shpreh se marrëveshja ishte “një poshtërim për BE-në që pasqyron çekuilibrin e qartë të pushtetit në marrëdhëniet me SHBA-në”.

Edhe ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, e konsideroi marrëveshjen si një “hap të parë të mirë”, por paralajmëroi se qeveria do të analizojë me kujdes ndikimin e saj në ekonominë dhe punësimin në vend.