VISAR ZHITI –
Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim, s’janë vetëm lëkura patatesh, qepësh e gazetash të hedhura apo këpucë të kalbura, apo mace të ngordhura.
Janë shtuar plehrat dhe janë zbukuruar ngjyra – ngjyra si fundi i një ëndrre në mëngjes, letra çokollatash vezulluese, ambalazhe gjë a gjëzash, fotografi lakuriq artistësh të ndaluar, kuti të bukura pijesh të jashtme, plehra të shtrenjtë: një kasetë, gjysmë manjetofoni, skelet veture. Ja ca furça dhëmbësh si picirrukë përrallash që kanë vdekur.
Pirgje me plehra, kapakët e shqyer të veprave të diktatorit, fotografitë e tij të qeshura dhe pis. Kalojmë anash plehrave, mespërmes plehrave, plehra në kujtesë, në biseda, në karrierë dhe plehrat ndonjëherë janë më pak të shëmtuara, të dëmshme më pak.
***
Më njohu qeni i gërmadhave, edhe pse s’më kishte parë kurrë. M’u hodh te këmbët, lëpiu me gjuhë mallëngjimin tim dhe lehu i ngazëllyer.
Qetësohu, qetësohu, ngushëllim i errët imi, ozonjar i tëri.
Sa kohë u bënë që ledhatoj hijen time, përpara prin dhe më pret si qen shtëpie në qoshe tragjedish?
Unë i hedh maska të lumtura. Luaj me to, rrokullisi me putrat e pista sarkazmave të truallit.
***
Duke vrarë këngët e palindura akoma nga që s’rrjedhin gjak, të duket sikur s’ke bërë asgjë
Pse kanë këngët kufoma?
E ku e kanë varrin?
Gjëra të tilla mund të thuash dhe për ajrin.