Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, “Tirana Diplo 2024”.

Mes të tjerash në fjalën e tij kreu i qeverisë foli për aleancat me miqtë e palëkundur dhe partnerët e padyshimtë.

Ai përmendi Greqinë, Turqinë e Italinë si miq tradicionalë dhe partnerë të Shqipërisë, ndërsa theksoi domosdoshmërinë që përtej përmasave, të rritemi si komb e shtet, duke lënë mënjanë si nacionalizmin folklorik ashtu edhe kompleksin e inferioritetit.

“Nuk është gjithmonë e lehtë, ne jemi miq tradicionalë të Turqisë dhe Greqisë dhe për ne janë të dyja të rëndësishme, por në të njëjtën kohë për ne është e shkruar që në programin tonë qeverisë se qoftë Greqia, qoftë Turqia bashkë me Italinë janë partnerët tanë strategjikë.

Por ne duhet të rritemi e fuqizohemi si shtet dhe si komb, ndaj duhet të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës sonë që në të shkuarën është shoqëruar me daullet e nacionalizmit folklorik dhe i ka kushtuar shoqërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por të ruhemi nga kompleksi i inferioritetit se nuk kemi asnjë arsye as për të parën as për të dytën, të dyja na kanë dëmtuar”, tha Rama mes të tjerash.