Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se Italia është bërë model në menaxhimin e emigracionit të paligjshëm në Bashkimin Evropian, falë një qasjeje të re që përfshin bashkëpunimin me vende jashtë BE-së, si Shqipëria.
Duke folur në Senatin italian përpara Këshillit Evropian të 17-18 tetorit, Meloni vuri theksin te një rënie prej 60% të zbarkimeve të emigrantëve të parregullt në vitin 2024, krahasuar me një vit më parë.
Sipas kryeministres italiane, një element kyç i kësaj strategjie ka qenë Protokolli Itali-Shqipëri, që parashikon përpunimin e kërkesave për azil në territorin shqiptar, por nën juridiksionin italian dhe evropian.
Dy qendrat e krijuara në Shëngjin dhe Gjadër tashmë janë funksionale, duke ndihmuar në zbatimin e këtij protokolli. Meloni falënderoi kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe qeverinë e tij për bashkëpunimin, duke theksuar se kjo është një rrugë e re, e guximshme dhe efektive në trajtimin e emigracionit.
“Kjo qasje e re pasqyron frymën evropiane dhe ka të gjitha kredencialet për t’u ndjekur edhe me vende të tjera jashtë BE-së. Falënderoj kryeministrin Rama dhe qeverinë shqiptare për besimin në këtë nismë,” tha Meloni, duke shtuar se është një hap i rëndësishëm për të luftuar trafikantët dhe për të parandaluar tragjeditë në det.
Ky bashkëpunim midis Italisë dhe Shqipërisë përbën një model për menaxhimin e flukseve migratore dhe po kontribuon në përmirësimin e situatës në të gjithë Mesdheun, nënvizoi Meloni.
Ajo shtoi gjithashtu se do të ketë takime joformale të vendeve të BE-së për të diskutuar efektet e mëdha të emigracionit, për të përmirësuar më tej këtë qasje të përbashkët.