Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është paraqitur këtë të mërkurë në SPAK.

Nuk dihen ende arsyeja e paraqitjes së ish-presidentit dhe kreut aktual të PL-së në organin e Prokurorisë së Posaçme.

Ai vetë tha se do flasë pasi të dalë nga ambientet e SPAK.

Kujtojmë që Meta ka disa çështje që janë hapur për të në Prokurorinë e Posaçme.

Në gusht të vitit 2022, SPAK ka regjistruar një procedim penal për çështjen e lobimit në SHBA me 670 mijë USD para të padeklaruara nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në bazë të një kallëzimi të bërë nga ish deputeti Halit Valteri.

Një tjetër procedim penal është regjistruar për shërbime estetike nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta në një klinikë në San Marino dhe Austri me para të padeklaruara, në bazën e një kallëzimi penal të referuar nga avokati Idajet Beqiri. Për të dyja linjat e hetimit, prokurorët po presin përgjigjet e letërporosive.

Po gjatë vitit 2022, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal për pastrim parash dhe fshehjen e pronësisë së godinës së LSI-së, në bazë të një tjetër kallëzimi të Halit Valterit. Në 25 korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal nr. 137, për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash, ku të kallëzuar janë Ilir Meta, Monika Kryemadhi, vëllai i Monikës, Drini Kryemadhi dhe vjehrri i Drinit, Nuri Peti. Drini Kryemadhi ka përfituar rreth 360 mijë USD nga kompania e kolaudimit SGS, në formë pagash, gjatë periudhës 2013-2020, dyshohet në mënyrë korruptive.

Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Hetimet po ndiqen nga vetë drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, ndërsa kanë pyetur një ndër kryesorët e kësaj afere, Kastriot Ismailajn, i dënuar me 11 vite burg. Të vetëm çështje të ‘nxehtë’ që Dumani ka në dorë dhe që mund të japë një mesazh të qartë, është afera CEZ-DIA, ku i implikuar është Ilir Meta. Prokuror i çështjes, bashkë me Dumanin, është edhe Arben Kraja, i cili po heton edhe çështjen e lobimit me para të padeklaruara.