Chelsea është duke kaluar një nga sezonet më të vështirë në histori teksa skuadra vuan mungesën e rezultateve dhe është jashtë çdo objektivi sezonal. Drejtuesit e skuadrës nuk kanë gjetur stabilitet duke ndryshuar tre herë trajnerin teksa e nisën sezonin me Thomas Tuchel, e vazhduan me Graham Potter dhe tashmë po e përfundojnë me Frank Lampard.

Ky i fundit nuk ka mundur t’i ndryshojë “fytyrë” skuadrës dhe vetëm pas gjashtë ndeshjes (përfshirë edhe dy sfidat me Realin), ia doli të merrte fitoren e parë teksa “Blutë e Londrës” mposhtën në transfertë me shifrat 1-3, Bournemouth. Kritikat ishin të pafundme dhe të pashmangshme për ish-futbollistin, që megjithatë në krah të tijin gjen një mik të vjetër si Claude Makelele. Ish-mesfushori që në karrierën e tij është aktivizuar edhe me Chelsean, u shpreh se situatën tek londinezët nuk do të mund ta ndryshonte as Pep Guardiola dhe Jose Mourinho.

“Te Chelsea aktualisht është krijuar një situatë tepër e vështirë, por kështu do të ishte për çdo trajner që do të merrte drejtimin e skuadrës në këtë moment. Unë mendoj se edhe nëse tek Chelsea do të ishte si trajner Guardiola apo Mourinho, vështirësitë do të ishin të njëjta. Ka shumë lojtarë të rinj në organikë dhe Lampard nuk ka pasur mundësinë t’i njoh ata. Fitorja e fundit sjell një frymë pozitive në skuadër pas shumë vështirësive”, u shpreh francezi.