Grupet kriminale fuqinë e tyre po e tregojnë gjithmonë e më shumë duke investuar në armë zjarri të cilat janë të prodhimeve të viteve të fundit dhe të kushtueshme.
Në operacione të ndryshme në tiranë Vlorë dhe durrës janë gjetur baza me armatime të kalibreve të ndryshëm.
Referuar statistikave të policisë në operacione të ndryshme në të gjithë vendin gjatë vitit të kaluar u sekuestruan 410 armë zjarri nga të cilat 199 ishin pistoleta. Ndërkohë që këtë vit trendi I trafikimit të pistoletave është më i lartë. Nga 125 armë zjarri të sekuestruar deri në këtë prill 75 prej tyre kanë qenë pistoleta.
Kjo ishte edhe një gjetje e raportit vjetor të Spak ku theksonte se “Kohëve të fundit vihet re, një tendencë në rritje e grupeve kriminale, që veprojnë jashtë vendit të cilët po porosisin armë zjarri të llojit “pistoletë”.”
Përveç pistoletave një armë mjaft e përdorur është kallashnikovi i cili më së shumti përdoret si mjet për kryerjen e ekzekutimeve mafioze.
Në pjesën më të madhe të rasteve këto armë lihen pas nga autorët brenda makinave që u vene flakën. Këto armë janë çuar në laboratoret shkencor ku janë ekzaminuar por nuk ka rezultuar në asnjë rast të jenë përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale.