Përdorimi i inteligjencës artificiale në depistimin e kancerit të gjirit rrit gjasat e zbulimit të sëmundjes, sipas rezultateve të një studimi të ri të madh.
Shumë studime kanë treguar deri më tani se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë radiologët të zbulojnë kancerin.
Megjithatë, shumica e studimeve janë retrospektive, që do të thotë se inteligjenca artificiale nuk është e përfshirë në diagnozën fillestare ose ka një numër shumë të vogël pjesëmarrësish.
Studiuesit theksojnë se në këtë studim ata testuan për herë të parë përdorimin e inteligjencës artificiale në një program kombëtar shqyrtimi, duke zbuluar se ajo ofron përfitime në një “ambient të botës reale”.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 461,818 gra në Gjermani që iu nënshtruan ekzaminimit të kancerit të gjirit midis korrikut 2021 dhe shkurt 2023, si pjesë e një programi kombëtar për gratë e moshës 50-69 vjeç.
Të gjitha mamografitë u rishikuan nga dy radiologë. Megjithatë, për 260,739 nga gratë, të paktën një nga ekspertët përdori një mjet të inteligjencës artificiale për të mbështetur diagnozën.
Mjeti i inteligjencës artificiale jo vetëm që shënon si mamografi “normale” që i konsideron jo të dyshimta, por alarmon edhe për një “rrjet sigurie” kur një ekzaminim imazherik që ai e karakterizon si të dyshimtë është cilësuar si jo i dyshimtë nga radiologu. Në një rast të tillë, inteligjenca artificiale “shënon” zonën e mamografisë dhe sugjeron që ajo të kontrollohet më tej.
Në total, 2881 nga gratë në studim u diagnostikuan me kancer gjiri. Shkalla e zbulimit ishte 6.7% më e lartë në grupin e inteligjencës artificiale.
Megjithatë, pasi morën parasysh faktorë të tillë si mosha e grave, studiuesit zbuluan se kjo diferencë u rrit, me një normë 17.6% më të lartë për grupin e AI në 6.70 për 1000 gra krahasuar me 5.70 për 1000 gra për grupin standard.
Me fjalë të tjera, një rast shtesë i kancerit u zbulua për 1000 gra të kontrolluara kur përdorej inteligjenca artificiale.
“Në studimin tonë, ne kishim një shkallë më të lartë zbulimi pa një shkallë më të lartë false-pozitive,” tha drejtuesi i studimit.
Studiuesit thanë se “rrjeta e sigurisë” e mjetit të AI u aktivizua 3,959 herë dhe çoi në 204 diagnoza të kancerit të gjirit.
Në të kundërt, 20 diagnoza të kancerit të gjirit në grupin e AI nuk do të ishin bërë nëse klinicistët nuk do të kishin shqyrtuar imazhet e konsideruara “normale” nga AI./kohajuaj