Eshtë pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë, nga skaneri, grafia digjitale dhe eko, flota e imazherisë në Spitalin e ri Pediatrik në QSUT. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër investimin në aparatura bashkëkohore, ku deklaroi se falë këtyre aparaturave bio-mjekësore do të rritet cilësia e shërbimit për pacientët e vegjël.
“Eshtë një prej investimeve që i bashkohet tashmë të gjithë investimeve të Spitalit Pediatrik, për të forcuar një prej shërbimeve më të rëndësishme, që është shërbimi i imazherisë në këtë spital. Me këtë skaner të ri, që i shtohet flotës së pajisjeve bio-mjekësore të Spitalit Pediatrik, ne do të kemi mundësi që të ofrojmë një shërbim më të shpejtë, më cilësor për pacientët e vegjël që marrin shërbim dhe kujdes shëndetësor në këtë spital”,– tha Ministrja Manastirliu.
Duke e konsideruar një investim që mjekët të ofrojnë shërbim në vendin e tyre, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli për planin 2-vjeçar të rritjes së pagave në sistemin shëndetësor publik.
“Duke filluar nga muaji që vjen, ju do të keni mundësi si mjekë specialistë të gëzoni rritjen e pagave, ku paga e mjekëve specialistë rritet me 500 dollarë në muaj, ndërkohë që do të kemi rritjen e pagave edhe për specializantët tanë, të cilët do të paguhen me 80% të pagës së mjekëve specialistë, një pagë e rritur dhe për specializantët ku paga do të shkojë 1000 euro në muaj që është një investim i shtetit për ta, një investim i shqiptarëve për të përgatitur mjekë specialist, në mënyrë që ata pas përfundimit të specializimit të tyre, të mundet të ushtrojë profesionin e tyre për tre vite aty ku nevojë vendi. Edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët do të ketë rritje 7% për këtë vit dhe duke vijuar me planin tonë për 2024, do të kemi dhe një rritje të targetuar për mjekët e familjes dhe infermierët”,- nënvizoi Ministrja Manastirliu.
Flota e imazherisë në Spitali Pediatrik në QSUT është pajisur me skaner, grafi dhe echo, aparatura të teknologjisë bashkëkohore. Teksa kanë vlerësuar këtë investim, mjekët janë shprehur se aparaturat e reja do të rrisin cilësinë në përcaktimin e diagnozës. Sipas mjekëve, aparaturat kanë një rrezatim më të vogël për femijët, për më shumë cilësi dhe siguri për shëndetin e pacientëve të vegjël.
Ky investim në Spitalin Pediatrik vjen pas investimit madhor të ndërtimit të spitalit të ri të Urgjencës, Terapisë Intensive dhe Kirurgjisë Infantile, i cili po pasohet nga faza e dytë e investimit transformues në korpusin pediatrik, që është rehabilitimi i plotë i Pediatrisë së Specialiteteve.