Kryeministri indian Narendra Modi njoftoi të martën se vendi i tij do të “ndërprejë ujin” nga lumenjtë që burojnë në territorin indian, por që rrjedhin përmes dhe ujitin Pakistanin, në hakmarrje për sulmin vdekjeprurës që ndodhi në Kashmirin indian në fund të prillit.

“Uji që i përket Indisë ka rrjedhur jashtë vendit deri më tani. “Që tani e tutje, ne do ta ndalojmë atë, për t’i shërbyer interesave të Indisë dhe për ta përdorur atë për vendin tonë”, tha Modi në fjalimin e tij.

India pezulloi pjesëmarrjen e saj në një traktat të vitit 1960 me Pakistanin për ndarjen e ujit në shenjë hakmarrjeje për sulmin e 22 prillit ndaj turistëve në Pahalgam, i cili vrau 26 persona. Edhe pse askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, Nju Delhi fajëson Pakistanin, i cili mohon çdo përfshirje.

Të dy vendet janë në prag të luftës për shkak të këtij sulmi ndaj civilëve. Ushtarët indianë dhe pakistanezë kanë shkëmbyer zjarr përgjatë kufirit për një javë.

Më parë, Pakistani akuzoi Indinë se po përpiqej të ndryshonte rrjedhën e lumit Chenab, një nga tre lumenjtë që ranë nën kontrollin e Islamabadit sipas traktatit të vitit 1960. “Ne kemi vërejtur ndryshime në Chenab, të cilat nuk janë natyrale (…) Rrjedha e lumit po zvogëlohet dita-ditës”, tha Qasim Pirzada, Ministri i Ujitjes së Punjabit.

Pasi India vendosi ta pezullojë në mënyrë të njëanshme traktatin, Pakistani paralajmëroi se çdo përpjekje për të ndërprerë rrjedhën e lumenjve të saj do të konsiderohej një “akt lufte”.

Provinca Punjab e Pakistanit, ku jetojnë gati gjysma e 240 milionë banorëve të Pakistanit, kufizohet me Indinë dhe është “zemra” e prodhimit bujqësor të vendit.

Traktati i Indusit i jep Nju Delhit të drejtën të përdorë lumenjtë që ndan me Pakistanin për digat dhe të korrat e Indisë, por jo të devijojë rrjedhën e ujit ose të kufizojë vëllimin e tij./