Vendimi për të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Fierit do të merret në datën 19 dhjetor në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Mes të pandehurve është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, vartësi i tij Alqi Bllako dhe 10 të akuzuar të tjerë.
Në tetor të këtij viti Kolegji Penal vendosi të riçelë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor në Apel, gjykim që në Shkallën e Parë u krye me procedurë të shkurtuar. Pasi mori edhe miratimin e prokurorit të SPAK, Apeli vendosi të përsërisë shqyrtimin gjyqësor për të pandehurit që fituan pafajësi në Gjykatën e Posaçme.
Në rishqyrtim gjykata e Apelit pyeti disa dëshmitarë, si edhe të pandehurën Arjola Kodra. Nga ana e tij, prokurori i çështjes Dritan Prençi i kërkoi gjykatës të deklarojë fajtor për akuzat të gjithë të pandehurit e çështjes, përfshirë Alqi Bllakon, Arben Dervishajn, Juri Imerajn dhe Arjola Kodrën, që fituan pafajësinë Shkallën e Parë.
Në shtator të vitit të kaluar, në mbyllje të gjykimit të dosjes së Inceneratorit të Fierit, Gjykata e Posaçme dënoi më 6 vjet e 8 muaj burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”. Ish-deputeti Bllako u fajësua vetëm për një akuzë me 2 vjet e 8 muaj.
Zotërues i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto, u dënua me 12 vite burg. Nga 4 akuza për “korrupsion” Zoto u deklarua fajtor vetëm për një prej tyre, ndërsa u gjet fajtor edhe për “mashtrim me pasoja të rënda”, “krijim skemash mashtruese” dhe “ pastrim të parave”.
Për të pandehurit e tjerë gjykata dha pafajësi, ose dënime nga 3 në 3.5 vite burg, për të cilët më pas u vendos pezullimi i dënimit me burg, ose lirim nga qelia, pasi koha e qëndrimit në paraburgim ishte më e madhe se dënimi i dhënë.
Inceneratori i Elbasanit
Koka, Bllako dhe të tjerët janë dënuar edhe për shkeljet e kryera edhe në çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ish-ministri është dënuar në Apel me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6 vite e 8 muaj burg. Alqi Bllako u dënua për ‘shpërdorim detyre’ me 4 vite burg, nga të cilat me gjykim të shkurtuar do të kryejë 2 vite e 8 muaj.
Ndërkohë Klodian Zoto u dënua në mungesë me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burgim. I njëjti dënim në mungesë u dha edhe për Mirel Mërtirin. Stela Gugallja, e arrestuar pak kohë më parë në Vjenë, u dënua me 7 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 4.8 vite. Pellumb Abeshi dhe Jonida Zeqo u dënuan me 4 vite heqje lirie dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajnë 2.8 vite heqje lirie. Bardhyl Çabiri u dënua me 2 vjet dhe Serafin Papa 1.4 burg.
Po ashtu Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e disa pasurive të sekuestruara të personave të sipër-përmendur të dënuar.
Inceneratori i Tiranës
Sa i përket çështjes së inceneratorit të Tiranës, SPAK ka dërguar për gjykim ish-deputetin socialist Alqi Bllako, të akuzuar për veprën penale korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor, dy herë.
Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se Aldi Bllako ka përfituar rreth 120 mijë euro duke lëshuar fatura fiktive nga kompania e babait të tij në drejtim të kompanisë që ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të Klodian Zoto, për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pa kërkuar.
Kushtetuesja lë nën sekuestro inceneratorin e Tiranës
Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar ankimin e bërë për heqjen e masës së sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Përmes një vendimi të marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, Kushtetuesja ka vlerësuar të mos kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, duke i lënë kështu në fuqi vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit për masën e sekuestros ndaj shoqërisë “INTEGRATED ENERGY BV SPV” SH.P.K. dhe të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme të saj, shkruan A2 CNN. Masa e sekuestros së kërkuar nga SPAK u miratua në Gjykatën e Posaçme në korrik të vitit të shkuar e më pas edhe në Apel dhe Gjykatën e Lartë, pas dyshimeve se aksionerët de facto të saj janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Sipas SPAK, dy biznesmenët në kërkim nga drejtësia kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmën si pronarë të vërtetë të shoqërisë që fitoi kontratën koncesionare 128 milionë euro dhe se përmes faturave tatimore të falsifikuara ata dyshohet se kanë përfituar 400 milionë lekë. Në ankimin e bërë në Kushtetuese, shoqëria koncesionare pretendonte se i ishte cënuar e drejta e pronës, se sekuestroja ishte vendosur pa prova dhe se SPAK kishte krijuar terma juridikë si “pronari de facto” për të legjitimuar sekuestron.
Në vendimin e arsyetuar Kushtetuesja thekson se shoqëria koncesionare nuk ka arritur të argumentojë se cilat janë pasojat e drejtpërdrejta dhe në çfarë mënyre është cenuar ajo nga vendimet e vendosjes së masës së sekuestros. Sipas Kushtetueses, shoqëria koncesionare nuk ka arritur të provojë nëse zbatimi i kontratës së lidhur me institucionin shtetëror vijon ose është ndërprerë. “Me fjalë të tjera, ajo nuk ka arritur të identifikojë cila prej tagrave të pronësisë është kufizuar nga masa e sigurimit pasuror dhe se si ky kufizim cenon deri në atë masë të drejtën substanciale të pronës, sa nuk mund të riparohet në procesin e themelit. Sikurse rezulton nga rrethanat e çështjes, kërkuesja, si person juridik, është subjekti i cili ka nënshkruar kontratën me institucionin shtetëror, për të cilën janë nën hetim një numër i konsiderueshëm i funksionarëve të lartë shtetërorë, ashtu edhe individë të cilët rezultojnë të kenë marrë pjesë ose të kenë nënshkruar kontrata me shoqërinë kërkuese”.
Për këtë shkak, thekson Kushtetuesja, objektit të ankimit kushtetues i mungonte legjitimiteti, çka pamundësonte tejkalimin e fazës së shqyrtimit paraprak. Dosja penale me 12 të pandehur për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve edhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme.