Sali Berisha i cili është në arrest shtëpie për aferën ‘Partizani’, pasi është marrë i pandehur për korrupsion, herë pas here pret në banesën e tij në Tiranë, ish politikanë, të cilët shprehin mbështetjen për ish-kryeministrin.

I fundit që Berisha ka pritur në banesë është ish-eurodeputeti polak Ryszard Czarnecki, i arrestuar për korrupsion së fundmi në vendin e tij.

Koha e saktë kur e ka takuar Berishën nuk dihet, por ka qenë vetë ish-eurodeputeti polak, i cili ka publikuar në mediat polake dy shkrime për Shqipërinë, ku në njërin prej tyre tregon edhe për vizitën në shtëpinë e Berishës, i cili e ka pritur me ‘tortë e raki’.

Por pasi Berisha e priti me ‘raki dhe tortë… pasi nuk mund ta çonte në një restorant’, sic tha ai, ish-eurodeputetit polak i janë vënë prangat.

Sipas mediave vendase, ish-eurodeputeti polak u arrestua të mërkurën nga Byroja Qendrore Kundër Korrupsionit (CBA) në aeroportin Chopin në Varshavë. Po sipas mediave polake, ish-eurodeputeti është arrestuar në lidhje me rastin e tregtimit të diplomave në universitetin Collegium Humanum.

Prokurori ngriti dy akuza kundër Czarneckit; e para ka të bëjë me ndikimin të paligjshëm në Ministrinë e Arsimit dhe përfitime financiare 92,000 PLN (21 mijë euro). Politikanit polak nuk i është ndaluar dalja jashtë vendit.

Partia në të cilën bën pjesë PiS (Ligj dhe Drejtësi), njoftoi se e ka pezulluar, duke e lënë të përballet vet me drejtësinë.

Përveç Ryszard Czarnecki, u arrestua edhe gruaja e tij, punonjëse e universitetit Collegium Humanum. Vetë ish-eurodeputeti, e cilësoi arrestimin e tij ‘si një lojë politike dhe i konsideroi absurde akuzat ndaj tij’.

Në mars 2023, shpërtheu një skandal në lidhje me Collegium Humanum. Filloi me arrestimin dy personave me dyshimin për përfitime materiale dhe personale. Bëhej fjalë për tregtimin e diplomave përmes këtij universiteti privat.