Baba i dy fëmijëve dhe një mësues, ai është 35-vjeçari me origjinë siriane i cili dje (2/10) përgjaku Mançesterin me sulmin që kreu në sinagogën e Heaton Park, duke kryer sulmin e tij vrasës në ditën e Yom Kippur, dita më e shenjtë në kalendarin hebraik.
Kjo zbulohet nga Daily Mail, e cila publikon një video, me autorin e krimit si fëmijë duke luajtur në oborrin e shtëpisë së tij, e cila ndodhet pak metra larg sinagogës së Mançesterit që u përgjak, konkretisht në cepin tjetër të ndërtesës.
Sulmuesi, i cili u qëllua për vdekje nga policia disa minuta më vonë, u zbulua se ishte rritur në një shtëpi vetëm pak metra larg sinagogës, pasi kishte mbërritur në Britani si fëmijë nga Siria.
Sulmuesi 35-vjeçar, i quajtur Jihad Al-Samieh, thuhet se mori shtetësinë britanike në vitin 2006, kur ishte rreth 16 vjeç.
Videot në YouTube e tregojnë atë dhe dy vëllezërit e tij duke luajtur në oborrin e një shtëpie në Crescent Road, rreth 20 minuta në këmbë nga sinagoga që u shënjestrua më vonë.
Ai dyshohet se ishte mësues dhe baba i dy fëmijëve, pasi një foto e postuar vitin e kaluar nga babai i autorit të krimit në Facebook e tregon atë duke mbajtur një foshnjë në krahë, me mbishkrimin: “Mirë se erdhe nip/mbesë”.
Al-Samieh, i cili ende nuk është identifikuar zyrtarisht, nisi sulmin e tij të përgjakshëm në orën 9:31 të mëngjesit kur drejtoi makinën e tij të zezë Kia Picanto drejt besimtarëve hebrenj jashtë sinagogës dhe më pas doli nga makina dhe filloi të “godiste me thikë këdo që mund të arrinte”.
Viktimat e tij, Adrian Dolby, 53 vjeç, dhe Melvin Kravitz, 66 vjeç, ishin të dy anëtarë të komunitetit hebraik të Mançesterit.
Duhet theksuar se, siç konfirmoi këtë mëngjes Ministrja e Brendshme Shabana Mahmoud, autori i krimit nuk ishte referuar në programin anti-terrorizëm të qeverisë “Prevent” dhe as nuk ishte i njohur për policinë apo shërbimet e sigurisë./kohajuaj