I dënuari për ‘masakrën e Çoles’ dhe për disa vepra të tjera penale, Aleksandër Llanaj, është izoluar për të dytën herë në regjimin e “41-biss”.
Me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, Llanaj është vendosur në Regjim të Posaçëm (“41-bis”) për një periudhë 1-vjeçare në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë, Peqin.
Llanaj është izoluar në 41-bis edhe në 2021 për 1 vit, pasi futi drogë në burg dhe vendosi baste sportive.
Llanaj është dënuar më parë me 35 vite burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer ndaj dy ose më shumë personave, në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë vuajtjes së këtij dënimi, Aleksandër Llanaj është dënuar edhe për disa vepra të tjera penale:
Më datë 09.02.2017, me vendimin Nr. 79 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 8 muaj burgim për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, parashikuar nga neni 324/a/1 i Kodit Penal.
Më datë 06.12.2019, me vendimin Nr. 620 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Rebelimi i të burgosurve”, parashikuar nga neni 270/2 i Kodit Penal.
Më datë 20.01.2021, me vendimin Nr. 27 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Rebelimi i të burgosurve”, parashikuar nga neni 270/1 i Kodit Penal.
Më datë 10.02.2023, me vendimin Nr. 79 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Organizimi i llotarive të palejuara”, parashikuar nga nenet 324/a/2 dhe 197/1 të Kodit Penal.