Pasditen e të mërkurës policia ka venë nën pranga kreun e Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës(KEK), Nagip Krasniqi. Arrestimi i tij ka ardhur pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria Speciale, e cila e akuzon për konsumimin e disa veprave penale si: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ parshikuar nga neni 414 paragrafi 2, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ parshikuar nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe ‘Konflikti i interesit’’ parashikuar nga neni 417 paragrafi 2.
“Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftim.
Bastisja ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime për tenderin e një remonti të kaldajës në bllokun A5 të termocentralit “Kosova A”. Bastisjen në KEK e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, duke mos dhënë detaje shtesë.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në KEK dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”, ka thënë Mehmeti.
Korporata Energjetike e Kosovës ka konfirmuar se të mërkurën në zyrat e saj është zhvilluar një kontroll nga Policia e Kosovës. Në reagimin e KEK-ut thuhet se nuk kanë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle. “Lidhur me këtë, KEK si gjithmonë mbetet e hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe”, thuhet në komunikatën për media./ Koha Juaj.com