Deputeti demokrat Agron Gjekmarkjaj ka analizuar situatën paszgjedhore dhe rezultatet me të cilat u përball opozita në “Lokalet” e dy ditëve më parë.

I ftuar në emisionin “Frontline” në News24 me gazetaren Marsela Karapanço, Gjekmarkaj u shpreh se Partia Demokratike duhet të shkojë tek shoqëria dhe jo e kundërta, pra që shoqëria ta ndjekë atë.

Ai ka renditur mënyrat se si PD mund të shpëtohet nga asgjësimi, ndërsa shtoi se ish-kryeministri Sali Berisha duhet të distancojë veten dhe familjen e tij nga PD në mënyrë që demokratët të bashkohen dhe partia të rithemelohet.

“Nuk kam receta dhe mend për t’i dhënë askujt, por PD duhet të shkojë tek shoqëria mos të pretendojë të kundërtën.

PD s’mund të jetë në konflikt të vazhdueshëm me kohën, historinë dhe aleatët historikë të vendit.

Shoqëria është inteligjente dhe në lëvizje të vazhdueshme, duhet ta ndjekësh me ide dhe njerëz, nuk mund të paraqitesh gjithmonë si një individ që hyn i ri e del plak nga PD duhet të pranosh dinamikën e brezave dhe faktin që të rinjtë të zëvendësojnë.

Marrim rastin e Kavajës, Salianji bëri një fushatë model, i ndihmuar edhe nga kandidati që kishte mbështetjen e të gjithëve. Edhe atje ka pasur presione. Mund të gënjesh veten por jo të tjerët, e gënjeshtra nuk të ndihmon të shkosh larg sepse të zvogëlohet autoriteti publik.

Kemi dy realitete, ato të Foltores që u godit rëndë dhe PD që thuajse vdiq në këto rezultate.

Shqipëria ka nevojë për një opozitë të re. Ajo nuk ndërtohet me çelik e gur, duhen njerëz të rinj dhe ide të reja.

Foltorja duhet të çmobilizohet, partia e vulës gjithashtu, të çmobilizohet e të mos bëjë asnjë veprim.

Duhet të krijohet një atmosferë komunikimi mes grupeve, të shkohet drejt rithemelimit për muaj, jo menjëherë.
Nuk mundtë bëhet rithemelimi menjëherë.

Të shkohet drejt një kongresi pajtimi dhe zgjedhjes së një lideri që unë e përjashtoj të jetë Berisha.

Nuk përjashtoj të ndodhë më e keqja, që Berisha të mos reflektojë. Duhet të distancojë veten dhe familjen nga partia në mënyrë që të bashkohen demokratët.

Ndryshe do ndodhë që Berisha do radikalizohet, do mbajë rreth vetes militantë që do i pakësohen”, tha Gjekmarkaj.

Gjekmarkaj tha gjithashtu se PD duhet të shohë tek shoqëria, ndërsa komentoi edhe problematikat e brendshme të opozitës që sipas tij ishin një faktor që çuan opozitën në një situatë zhgënjyese.

“Nëse kemi parasysh shifrat, fitorja e PS është një fitore që ka kaluar kufijtë e çdo pritshmërie. Një befasi për të gjithë dhe një zhgënjim për popullin opozitar. Në PD, ku ka pasur akuza e kundër-akuza, fyerje e sharja deri më 8 janarin që kanë qenë periudha më e errët dhe të gjitha këto lënë gjurmë. Sot kemi dy realitete, që është ai shumicë dhe pakicë i vulës apo zyrtare që quhet rëndom. Elektorati i djathtë ka preferuar ta shfaq lodhjen e vet duke refuzuar disa procese të ndodhura brenda PD. Duket sikur kemi dy organizata brenda saj.

Gjatë një viti kemi parë një revansh, një gjuhë të egër, një gjuhë që ka preferuar të trajtojë si të mundur gjatë gjithë kohës pjesën tjetër dhe nuk ka dashur të gjejë një bashkim real dhe pjesë tjetër ka shfaqur papërgjegjshmëri, është tjetër të flasësh në parlament dhe tjetër të bësh politikë në territorin e vendit. PD zyrtare në një vit kohë nuk dha modelin e një opozite të re, u kompleksua. Në fund pati hezitime të mëdha, apo mosqartësime se çfarë do të bëhej për kandidatët. Do të ishte më e ndershme që vula t’i dërgohej shumicës dhe ky grup nëse do të provonte veten mund të organizohej. Në këtë kontekst mund të ishte çliruar më shumë e djathta.  Edhe pse duket thirrje mazokiste, partia zyrtare demokratike bëri thirrje të gjendej një kompromis, por duket se zoti Berisha preferoi më shumë një marrëveshje me Metën se sa me atë pjesë. Kjo besoj se ndikoi pak dhe u përdor edhe nga kundërshtarët për të ndikuar në elektoratin e djathtë”, tha Gjekmarkaj.

“Mjafton të shohësh hartën e rezultateve për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në zgjedhje. Janë humbur qytete që kanë qenë historikisht bastione. Bastionet ranë një e nga një. Ndjen dëshpërimin e distancës me njerëzit që janë të lodhur nga opozita. Njerëzit nuk kanë dëgjuar Edi Ramën, po është gjendja e opozitës gjuha e egër dhe asgjësuese që mendoj ka mbajtur në shtëpi, mijëra e mijëra njerëz”, tha më tej deputeti.

Ndërsa i pyetur se pse zgjodhi të mos mbështesë asnjë palë, Gjekmarkaj tha: “Gjatë kohës së fushatës duke pasur parasysh edhe gjuhën që përdorej mes nesh, duke mos qenë dakord me asnjërën palë, gjykova se çdo që mund të thuhej, një pjesë mund të pëlqente dhe një pjesë jo. Dhe natyra njerëzore pranon dhe kompromisin në këtë rast është heshtja, jo të lash duart , por një lloj pafuqie për t’u përballur me këtë situatë. Unë e kam parë prej kohësh përplasjen e anijeve tona në det, e kam ndjerë në parlament kur bëheshim gazi i botës, një pjesë akuzonte pjesën tjetër si bashkëpunëtorë. Para duhet të përballoje qeverinë dhe nga pas të vinte sulmi mik, dhe kjo është vërtet shqetësuese dhe një tragjedi”.