Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në Komisionin e Dezinformimit, u ndal te rreziqet që paraqesin kërcënimet hibride dhe veçanërisht tek ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Hoxha e cilësoi përhapjen e kërcënimeve hibride si një sfidë serioze për sigurinë kombëtare dhe rendin demokratik.

Duke u ndalur te ndikimi i Rusisë, Hoxha vuri në dukje se Moska është ndër aktorët kryesorë të fushatave hibride në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e propagandës ruse përhapet në gjuhën serbe. Hoxha thotë se propaganda ruse nuk vjen direkt nga Moska, por shpërndahet përmes ‘satelitëve’ të saj në Ballkanin Perëndimor.

Sa i takon Shqipërisë, ministri i Brendshëm shprehet se vendi ynë është më pak i prekur nga kjo fushatë hibride e Rusisë. Por gjithsesi, Hoxha pranon se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhen shqipe, por që sipas tij me ndikim shumë të kufizuar për shkak të audiencës së ulët.

“Në nivel global është gjerësisht e pranuar se aktor kryesor të luftsë hibride janë katër shtete kryesore, Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Në vendet e Ballkani Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet i ndarë dhe në të veprojnë forca konkurrues e politike. Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit europian të këtyre vende përmes influencës politike por edhe ekonomike. Pranohet se Shqipëria është më pak e prekur dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhen shqipe, vazhdojnë të kenë shikueshmëri dhe lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh”, vijoi Hoxha.