Nga Eduard Zaloshnja
Vjet më 6 mars, u zhvilluan zgjedhje jashtë rradhe në Bashkinë Shkodër, por pjesëmarrësit ishin të paktë – vetëm 47 mijë shkodranë votuan, krahasuar me 69 mijë që kishin marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit, apo 69 mijë që morën pjesë në zgjedhjet lokale të 2015-ës. Më 14 maj duket se do të kemi përsëri pjesëmarrje të lartë në Shkodër dhe një skenar goxha të ndërlikuar.
Nga njëra anë kandidon Bardh Spahia, të cilin e mbështet “Bashkimi për Fitore” i Berishës e i Metës, dhe nga ana tjetër kandidon Benet Beci, të cilin e mbështesin degët lokale të PS, të PSD, dhe të ish-LSI (PD-ja e Alibeajt garon vetëm për këshilltarë bashkiakë në Shkodër).
Meqë votimi i 6 marsit të vjetshëm ishte i cungët (vetëm 47 mijë shkodranë votuan), dy votimet e mëparshme (ku votuan 69 mijë shkodranë) mund të na shërbejnë si njëfarë udhërrëfyesi i përafërt për mënyrën sesi mund të ndahen votat më 14 maj të këtij viti.
Në dekadën e fundit, PSD dhe LSI kanë marrë në territorin aktual të Bashkisë Shkodër mesatarisht 14% dhe 12% të votave. Ndërsa PS ka marrë mesatarisht 25% të votave në territorin e kësaj bashkie (jo të qarkut).
Meqënëse degët lokale të PS, PSD dhe ish-LSI do të përkrahin Benet Becin, mund të bëhet shpejt e shpejt një mbledhje e thjeshtë aritmetikore: 25% socialistë + 14% socialdemokratë + 12% ish-lsistë = 51%.
Por në territorin shkodran, ndoshta nuk funksionon një aritmetikë kaq e thjeshtë…
Së pari, duhet që të gjithë shkodranët që kanë votuar më parë për PSD e LSI tu binden liderëve të tyre lokalë (të parët janë provuar edhe më parë, ndërsa të dytët do të provohen më 14 maj). Më tej, duhet që të gjithë socialistët shkodranë të votojnë për Benet Becin, i cili ka vetëm dy vjet që i përfaqëson ata në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe së fundmi (por jo më së pakti), është faktori “Luiz”!
Luiz Ejlli i Big Brother është bërë një personazh tejet popullor ndër shqiptarët, e në veçanti ndër shkodranët. Ai ka dhjetra mijra shkodranë ndjekës të tij në rrjetet sociale, të cilët ndjekin çdo postim të tij ose rreth tij. Deri më sot, Luizi nuk ka shprehur ndonjë preferencë të hapur politike, por gjatë rrëfimit mbrëmë në Big Brother deklaroi: “Benet Becit i jam mirënjohës gjithë jetën, më ndihmoi vetëm pse isha shkodran”.
Kuptohet që deklarimi i mësipërm ka të bëjë me vlerësimin personal të Luizit ndaj Becit. Ndaj mbetet të shihet nëse Luizi do ta përkrahë publikisht kandidaturën e Becit, kur të dalë nga Big Brother. Nëse kjo ndodh, Beci mund të fitojë pikë të velfshme sidomos tek shkodranët 18-34 vjeç (brezi i rrjeteve sociale dhe i Big Brother), shumica e të cilëve nuk e marrin zakonisht mundimin të votojnë…
Me pakë fjalë, gara në Shkodër do të jetë interesante më 14 maj!